Rama: Dialog, patjetër, por me kë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se dialogu është i domosdoshëm, por ngriti pikëpyetje se me kë duhet të zhvillohet ai, duke theksuar se protestat e tanishme nuk përfaqësojnë një lëvizje studentore si ajo e vitit 2018.
Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, Rama u shpreh se protestat janë shndërruar në një kurth për Shqipërinë, të nxitur nga grupe të ekstremizuara dhe aktorë që synojnë të destabilizojnë vendin.
“Unë nuk kam tallur askënd, unë kam treguar me gisht ata që janë edhe sot pjesë e gjësë, as për ta bërë Shqipërinë më të mirë, janë aty për ta kthyer Shqipërinë përmbys, qoftë për llogari të PD-së, të Republikës Khomeiniste të Iranit. Kjo është e vërteta. Duhet dialog, patjetër, kjo është A-ja, por me kë? Me studentët?”, tha Rama
“Po i kthehem 2018-s. Ajo ishte lëvizje studentore, por kjo nuk është një kurth jo për mua, për Shqipërinë, ku njerëz të paguar, të ekstremizuar, të reja e të rinj, idealistë që janë pre e një ideologjie, marrëzie e ashtuquajtur Antifa, kanë marrë peng të tjerët”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të studentëve se nuk janë dëgjuar nga qeveria, kryeministri tha se ka dëgjuar vazhdimisht thirrjet e tyre për dorëheqjen e tij dhe për burgosjen e tij, por nuk janë paraqitur kërkesa konkrete për arsyet pse duhet të largohet nga detyra.
“Ju kam dëgjuar çdo ditë, sepse keni ardhur poshtë dritares sime, ju kam dëgjuar ‘o në burg, o në litar’, ‘burg, burg, jep dorëheqjen’. S’kam dëgjuar kërkesa. Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë s’keni trokitur te dera dhe të të themi me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh”, u shpreh Rama.

Lexo edhe“RENEA e ka për detyrë të dalë”, Rama: Do ngushtohet rrethi i protestuesve me maska
Ai theksoi se kërkesa për largimin e tij duhet të shoqërohet me arsye dhe dialog.
“Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë”, deklaroi kryeministri.
Rama tha se qeveria ka reflektuar ndaj shqetësimeve të ngritura dhe se disa prej mësimeve të nxjerra po zbatohen gradualisht.
Ai iu referua edhe platformës “Flamingo Mirror”, duke pretenduar se publikimi online i informacionit ka ndihmuar në rrëzimin e disa konspiracioneve.
“Unë e kam dëgjuar me shumë kujdes, por ne kemi dalë nga faza e parë e masivitetit të flamingove me mësime që po i vëmë në jetë një e nga një. Nuk e dëgjoj më Zvërnecin, sepse e gjithë e vërteta është online tani, transparente. Të gjitha konspiracionet kanë rënë, sepse janë aty te Flamingo Mirror”, tha Rama.












