Protesta e dhunshme, Rama: Jam përpjekur për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një videomesazhi lidhur me protestat e dhunshme që po zhvillohen prej pesë ditësh në Tiranë, duke thënë se deri më tani është përpjekur të mos përfshihet drejtpërdrejt në zhvillimet e tyre.
“Ja ku jam, nuk kam ikur. Vendosa të jem këtu sot, të shihni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shpjeguar se gjatë ditëve të fundit ka zgjedhur të mos reagojë drejtpërdrejt, duke thënë se ka dashur të shmangë atë që e cilësoi si “kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak”.
“Për disa ditë, qysh se kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak”, ka thënë kryeministri shqiptar.
Në videomesazhin e tij, Rama ka përmendur edhe ngjarjet e 21 janarit, duke rikujtuar protestën e vitit 2011, gjatë së cilës u vranë katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Ai ka krahasuar zhvillimet e asaj kohe me protestat e ditëve të fundit, duke thënë se më 21 janar, ndonëse pati disa zjarre në bulevard, nuk u dëmtuan institucionet dhe nuk u përdorën molotovë.

Lexo edheNgritën temperaturat, parashikimi i motit për ditën e diele
“Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri ka thënë gjithashtu se, ndryshe nga situata e sotme, disa prej protestuesve të plagosur më 21 janar nuk kishin shkuar dot në spital, pasi, sipas tij, kishin frikë se do të përballeshin sërish me dhunë.
“Ata nuk shkuan dot as në spital, se i priste përsëri druri dhe u mjekuan në shtëpi”, ka thënë Rama në videomesazhin e tij.
Reagimi i kryeministrit vjen pas pesë ditësh protestash në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me dëmtime të pronës publike dhe private. /Lajmi.net/












