Një mosmarrëveshje mes punonjësve të shkollës fillore “Rexhep Mala” në fshatin Topanicë të Komunës së Kamenicës ka përfunduar me rrahje fizike mes një mësuesi me drejtorit të kësaj shkolle.
Bëhet fjalë për mësimdhënësin klasor, Avdi Morina, i cili është përleshur fizikisht me drejtorin e shkollës, Qazim Morina, ku ai jep mësim.
Bëhet e ditur se deri te përleshja ka ardhur si pasojë e ndërmjetësimit të drejtorit të shkollës pasi që mësimdhënësi Morina ishte në një konflikt verbal me një mësues tjetër.
Drejtoresha e arsimit në Komunën e Kamenicës, Mirhane Morina, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka sqaruar se si ka ndodhur konflikti.
“Sipas deklaratës së përcjell në adresën time zyrtare, shkaku i përleshjes midis mësimdhënësit të mësimit klasor, Avdi Sh. Morina, është ndërmjetësimi i Drejtorit të Shkollës “Rexhep Mala”, në një konflikt verbal midis këtij mësimdhënësi dhe një mësimdhënësi tjetër”, është shprehur Morina.
Ajo tutje ka pohuar se konflikti i djeshëm nuk është risi. Sipas drejtoreshës, edhe vitin e kaluar të dy palët kishin pasur mosmarrëveshje mes vete.
Drejtoresha Morina thekson se mosmarrëveshjet verbale mes tyre kanë vazhduar me muaj të tërë ani pse iu është përcjellur rekomandim disiplinor.
“Duke marrë për bazë faktin që mosmarrëveshjet midis drejtorit dhe mësimdhënësit Morina nuk janë diçka e re, më datë 24.04.2018 për të dy palët në këtë konflikt është përcjellë rekomandimi nga Drejtorja e Drejtorisë Komunale të Arsimit për respektimin e Kodit të Mirësjelljes dhe Rregullave të Shkollës, por fatkeqësisht mosmarrëveshjet verbale kanë vazhduar edhe më pas”, ka thënë Morina.
Ndër të tjera drejtoresha Mirhane Morina ka sqaruar tutje se çështjen e kanë kaluar tek inspektorati i Arsimit.
“Më datë 04.01.2019, bazuar në Udhëzimin Administrativ (MAShT) 40/2005 për Ndalimin, Ndërprerjen e Punës dhe Inicimin e Procedurës Disiplinore ndaj Mësimdhënësve dhe Punëtorëve të tjerë në Institucionet Edukativo-Arsimore, Aftësuese dhe Shkencore, këtë çështje e kemi kaluar tek Inspektorati i Arsimit, prej të cilëve nuk kemi marrë njoftim lidhur me procedimin e këtij rasti dhe as nuk janë ndërmarrë masa”, ka thënë Morina.
Ajo po ashtu thekson se me rastin po merret Prokuroria Themelore, dhe se DKA e Kamenicës do të merr vendim pas shqyrtimit të lëndës nga organet e drejtësisë.
“Tani që ky rast ka kaluar nga Policia e Kosovës te Prokuroria Themelore, ne do të presim përfundimin e shqyrtimit të tij dhe do të veprojmë bazuar në atë me të cilën do të obligohemi në përfundim të procedurës”, ka thënë Morina për FaktePlus.
Ndërkaq sipas një njoftimi të lëshuar nga policia rajonale e Gjilanit thuhet se ngatërresa ka ndodhur dje rreth mesditës, me ç’rast njëri nga të përfshirët në rast ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.
“Me 12 mars 2019, rreth orës 11:20, ankuesi, drejtor i shkollës i raporton policisë në Kamenicë se pas një mosmarrëveshje që kishte në korridorin e shkollës, e më pas në lokalet e punëtorëve teknik është sulmuar fizikisht nga njëri prej mësuesve të kësaj shkolle”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se drejtori ka pësuar lëndim të lehtë trupor bazuar në raportin mjekësor.