Si të mbrojmë mendjen dhe qetësinë tonë nga manipulimet, propaganda dhe rremuja politike
Nga: Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi, Mjek dhe politikan lokal në Gjerman
Në periudhat zgjedhore, shoqëria shpesh hyn në një atmosferë të tensionuar emocionale dhe psikologjike. Debatet politike, rrjetet sociale, lajmet e shumta, propagandat dhe konfliktet verbale krijojnë një lodhje mendore që prek pothuajse çdo qytetar. Në Kosovë, kjo gjendje shpesh bëhet edhe më intensive për shkak të polarizimeve politike, emocioneve kolektive dhe ndikimeve të mëdha mediatike.
Prandaj, sot është më e rëndësishme se kurrë të flasim për ruajtjen e shëndetit mendor gjatë fushatave politike.
Kosova, brenda një periudhe prej vetëm nëntë muajsh, ka hyrë tri herë në procese zgjedhore. Kjo situatë ka krijuar jo vetëm ngarkesë politike dhe institucionale, por edhe lodhje të madhe psikologjike tek qytetarët. Fushatat e vazhdueshme, debatet pa fund, tensionet politike dhe përplasjet mediatike e mbajnë shoqërinë vazhdimisht nën presion emocional.
Një proces i tillë i përsëritur zgjedhor nuk është i lehtë për asnjë shtet dhe as për qytetarin e zakonshëm. Njerëzit lodhen nga premtimet e pafundme, nga polarizimet, nga propaganda dhe nga atmosfera e vazhdueshme e konfliktit politik. Në shumë familje, politika është bërë temë e përditshme tensioni, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në qetësinë shpirtërore dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Njeriu duhet të kuptojë se jo çdo informacion që dëgjon është i saktë, jo çdo video është e vërtetë dhe jo çdo premtim politik është real. Në epokën moderne të mediave dhe rrjeteve sociale, manipulimi emocional është bërë një nga armët më të fuqishme të ndikimit mbi qytetarin.
Shumë njerëz pa e kuptuar bien pre e:
• propagandës emocionale,
• lajmeve të pavërteta,
• manipulimeve mediatike,
• frikës kolektive,
• gjuhës së urrejtjes,
• presioneve grupore dhe partiake,
• si dhe dezinformatave të shpërndara me qëllim ndikimi psikologjik.
Kur njeriu ekspozohet vazhdimisht ndaj tensionit politik, ai fillon të humbë qetësinë emocionale dhe aftësinë për të gjykuar në mënyrë të kthjellët. Kjo sjell nervozizëm, stres, ankth, konflikte familjare dhe shpesh edhe urrejtje të panevojshme ndërmjet njerëzve.
Në shumë raste, qytetarët fillojnë të jetojnë më shumë me konfliktet politike sesa me jetën reale të përditshme. Ata harrojnë familjen, shëndetin, qetësinë shpirtërore dhe fokusohen vetëm në debate, sharje dhe tensione politike që nuk u sjellin asnjë përfitim personal apo shoqëror. Një shoqëri e shëndetshme nuk duhet të lejojë që politika të shkatërrojë ekuilibrin psikologjik të qytetarëve.
Është shumë e rëndësishme që qytetari të mësojë të dallojë:
• faktin nga propaganda,
• argumentin nga manipulimi,
• analizën nga mashtrimi emocional,
• informacionin profesional nga sensacioni mediatik.
Jo çdo person që flet me zë të lartë ka të drejtë.
Jo çdo portal që publikon lajme është objektiv.
Jo çdo video në rrjetet sociale paraqet realitetin.
Në periudhat zgjedhore, shumë media dhe individë përdorin teknika psikologjike për të ndikuar emocionet e njerëzve. Frika, zemërimi, patriotizmi i tepruar, mllefi apo ndjenja e viktimizimit përdoren shpesh për të manipuluar mendimin e qytetarit.
Prandaj, ruajtja e qetësisë mendore është formë e inteligjencës qytetare.
Qytetari i mençur nuk reagon menjëherë ndaj çdo lajmi. Ai analizon, verifikon burimet dhe ruan kontrollin emocional. Ai nuk lejon që politika t’ia marrë paqen shpirtërore apo t’ia prishë marrëdhëniet me familjen, miqtë dhe shoqërinë. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik.
Një popull i lodhur psikologjikisht bëhet më lehtë i manipulueshëm. Një qytetar i stresuar dhe emocional humb aftësinë për të marrë vendime të mençura. Pikërisht për këtë arsye, ruajtja e stabilitetit emocional dhe mendimit kritik është mbrojtje ndaj manipulimit politik. Kosova ka nevojë për qytetarë të qetë, racionalë dhe me kulturë demokratike. Ka nevojë për njerëz që nuk bien pre e urrejtjes dhe propagandës, por që ruajnë maturinë, respektin dhe arsyen.
Në fund, duhet ta kujtojmë një gjë shumë të rëndësishme: Politika vjen dhe kalon. Por shëndeti mendor, familja dhe dinjiteti njerëzor mbeten themeli i jetës sonë. Prandaj, në kohë fushatash zgjedhore, qytetari duhet të mbrojë jo vetëm votën e tij, por edhe mendjen, qetësinë dhe shpirtin e tij