Rasti i Arlinda Zekajt, Këshilli Gjyqësor lëshon raportin nga inspektimi në Gjykatën e Pejës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka lëshuar komunikatë pas inspektimit të kryer në Gjykatën Themelore Pejë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.
Raporti final thuhet se është dorëzuar në KGjK sot dhe pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka rezultuar kësisoj:
“Gjykata më datë 07.09.2026 e ka pranuar Kërkesën për Shqiptimin e Urdhrit Mbrojtës Emergjent, dhe po këtë ditë e ka regjistruar në regjistrin manual dhe atë elektronit të SMIL, konform rregullave të përcaktuara me akte normative, përkatësisht Rregulloren nr.17/2024 dhe Shtojcën 2.
Me aktvendimin e datës 07.09.2026, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar Urdhrin për Mbrojtje Emergjente për palën e mbrojtur znj. Arlinda Zekaj-Sylaj.
Kundër këtij aktvendimi pala e mbrojtur dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kanë paraqitur kundërshtim, vetëm lidhur me piken III, të dispozitivit që ka pasur të bëjë me besimin e fëmijës dhe alimentacionin.
Gjykata, duke vendosur sipas kundërshtimit të palës së mbrojtur dhe përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimave me aktvendimin C.nr.1300/2026 të datës 16.10.2026, ka vendosur që të aprovohet kërkesa e palës mbrojtëse me saktësisht si në dispozitiv të këtij aktvendim.
Kundër këtij aktvendim nuk është paraqitur ankesë nga palët në këtë rast.
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se, pala mbrojtëse Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për mbrojtje. Të dy këto aktvendime i janë përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutimin e tyre ashtu siç ka qenë e përcaktuar në dispozitiv të aktvendimeve të cituara.

Lexo edhePolicia shqiptare arreston një person dhe procedon 17 të tjerë pas protestave të dhunshme, nën hetim edhe thirrjet në rrjete sociale
Duhet theksuar se: me datë 26.10.2026 në ora 8.56, Gjykata ka pranuar Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë, me numër PP/II Nr. 1340/2026, kundër Jeton Sylaj (bashkëshorti i Arlinda Zekaj-Sylaj). Aktakuza në gjykatë është pranuar pas vrasjes së të ndjerës Arlinda Zekaj-Sylaj. Aktakuza është regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe atë elektronik me numër P.nr. 832/2026 dhe sipas numrit unik të SMIL 2026:208789.
Nga shkresat e lëndës rezulton se në këtë çështje palë të vetme kanë qenë, pala e mbrojtur Arlinda Zekaj-Sylaj dhe pala përgjegjëse Jeton Sylejman Sylaj (në raport familjar – bashkëshort), dhe në asnjë shkresë të lëndës nuk është përfshirë tani i dyshuari për kryerjen e veprës penale të vrasjes, Albert Sylaj.
Me datën 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar më kërkesë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ku ka shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes ka vendosur kundërligjshëm dhe pas afateve ligjore. Kryetari i Gjykatës në Pejë, po të njëjtën ditë, me datën 17 shtator 2026 i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që ta informohet lidhur më çështjen si dhe me veprimet e ndërmarra. Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit.
Ndërsa, me datën 20 tetor 2026 Kryetari i Gjykatës me shkresën GJA.nr.197/26 i është përgjigjur znj. Arlinda Syla Zekaj duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata në lidhje me rastin.”
Sipas KGjK, sa i përket raportimeve se Kryesuesi i KGjK-së ka pranuar kërkesë nga e ndjera Arlinda Zekaj, kjo nuk qëndron.
“Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka marr përgjigje me shkrim nga personat përgjegjës në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor se deri më datë 28 tetor 2026, nuk është pranuar asnjë kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj-Sylaj. Kjo është konstatuar duke kontrolluar evidencën nga regjistri fizik i pranimit të të gjitha shkresave të pranuara në zyrën e pranimit të Këshillit, në Sekretariat dhe në postë zyrtare elektronike të KGJK-së.”












