Një person ka humbur jetën në fshatin Godanc i Epërm, komuna e Shtimes, pasi është rrëzuar në tokë dhe nuk ka arritur të marrë ndihmë mjekësore në kohë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për lajmi.net rastin e ndodhur sot, rreth orës 15:15.
Sipas tij, fillimisht policia ka pranuar një thirrje nga një qytetar, i cili ka raportuar se një person ishte rrëzuar dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, patrullat policore dhe ekipi emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Veseli.
Pas mbërritjes në vendngjarje, ekipi mjekësor ka kryer kontrollin e personit, me ç’rast është konstatuar se ai ishte pa shenja jete.
Viktima është identifikuar si L.V., 36 vjeç.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, ndërsa është njoftuar prokurori i shtetit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.
“Rrethanat e rastit po hetohen dhe do të sqarohen pas përfundimit të procedurave përkatëse”, kanë bërë të ditur nga hetimet.
Hetimet për rastin po vazhdojnë. /Lajmi.net/