Marcus Rashford, edhe pse shënoi dopietë kundër Newcastle në mesjavë, është lënë jashtë formacionit titullar të Barcelonës kundër Getafes, pasi theu një nga rregullat e hekurt të Hansi Flick.
Pas paraqitjes mbresëlënëse në “St James’ Park” në Ligën e Kampionëve të enjten, Rashford u lavdërua nga trajneri gjerman.
“Nuk jam i befasuar [nga golat e tij],” tha Flick.
“Mendoj se ai është një lojtar fantastik. Aftësitë e tij janë të pabesueshme dhe përfundimi i aksioneve të tij është i jashtëzakonshëm.”
Dukej se Rashford i rilindur do të ishte titullar në ndeshjen e La Ligës kundër Getafes, por sipas gazetarit Fernando Polo, 27-vjeçari është lënë jashtë për shkak se mbërriti me vonesë në një mbledhje të skuadrës të dielën.
Flick njihet për disiplinën e rreptë dhe ka theksuar shpesh se vonesat janë të papranueshme.
“Sipas rregullit që Flick e ka bërë të qartë për të gjithë lojtarët – kushdo që arrin me vonesë ditën e ndeshjes nuk luan, edhe nëse trajneri kishte planifikuar ta aktivizonte nga minuta e parë,” raportoi Mundo Deportivo./GazetaExpress/