Konjufca në Sofje: Korridori VIII, shtyllë strategjike për sigurinë dhe ndërlidhjen e rajonit

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII në Sofje, ku ka theksuar rëndësinë e ndërlidhjes rajonale për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Në konferencën e organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Chamova, Konjufca deklaroi se ndërlidhja rajonale nuk është vetëm një domosdoshmëri ekonomike, por edhe një shtyllë strategjike e sigurisë dhe qëndrueshmërisë evropiane, raporton lajmi.net
Ai vuri theksin te rëndësia e përfshirjes së plotë të Kosovës në rrjetet rajonale të transportit, duke përmendur investimet në Linjën Hekurudhore 10 dhe projektin e planifikuar të hekurudhës Prishtinë–Durrës.
Sipas Konjufcës, këto projekte do të kontribuonin në forcimin e ndërlidhjes rajonale, diversifikimin e rrugëve të transportit dhe rritjen e sigurisë euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, ministri ngriti edhe shqetësimin për pengesat që, sipas tij, Serbia vazhdon t’i vendosë ndaj shkëmbimeve të energjisë elektrike me Kosovën, pavarësisht skadimit të afatit të përcaktuar nga Komuniteti i Energjisë.

Lexo edheGjendet pa shenja jete në apartament 25-vjeçarja në Durrës, pranë saj ishte fëmija 2 vjeç
Konjufca bëri thirrje për veprim më të vendosur evropian për respektimin e detyrimeve ekzistuese, duke vlerësuar se pengesat në këtë fushë cenojnë sigurinë energjetike të rajonit.
Në përmbyllje, ai theksoi se Korridori VIII duhet të jetë më shumë sesa një vijë në hartë, ndërsa një Ballkan Perëndimor i ndërlidhur dhe i qëndrueshëm, sipas tij, kërkon bashkëpunim të papenguar dhe përfshirjen e plotë të Kosovës./Lajmi.net/












