Rama ndërpret financimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbyllur “de facto” Akademinë e Shkencave të Republikës Shqipërisë duke i ndërprerë financimet për vitin 2018, ndërkohë që do të vazhdojë të financohet si më parë Qendra e Studimeve Albanologjike.
Shefi i Qeverisë shqiptare e ka quajtur Akademinë e Shkencave një lloj rudimenti sovjetik në Shqipëri. Sipas Ramës, Akademia e Shkencave vazhdon të jetë një institucion mbi çatinë e të cilit vazhdon të valëvitet flamuri sovjetik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të hënën në prezantimin e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm ka thënë se ky institucion duhet t’i nënshtrohet një reformimi që nuk diktohet nga Qeveria. Investimet, sipas tij, do të shkojnë për kërkimet shkencore në Universitet. Buxheti i sivjetmë i AShSh-së ka qenë mbi 830 mijë euro.
“Ne nuk do të financojmë Akademinë e Shkencave. Ka një keqkuptim të madh pasi është ngritur në hava një akuzë se po i japim dërmën studimeve albanologjike…Jo. Nuk është e vërtetë. Qendra e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë të financohet siç është financuar. Studimet albanologjike do të mbështeten drejtpërdrejt”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama.
Zgjedhjet e reja për kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë të mbajtura në fillim të shtatorit, nxitën një debat të ashpër publik lidhur me reformimin e munguar të Akademisë së Shkencave.
Lexo edhePas humbjes, ky kandidat për kryetar komune tërhiqet nga politika
Pasi qe dhënë lajmi se Gudar Beqiraj do të drejtojë këtë institucion shkencor, Rama kishte thënë se AShASh-i nuk do të marrë fonde nga Qeveria.
Gudar Beqiraj u bë kryetar pas një mandati si nënkryetar i kësaj Akademie. Ndërsa Myzafer Korkuti që më herët mbante detyrën e kryetarit të AShSh-it, ishte kandidatura e vetme për nënkryetar dhe vota prodhoi një rokadë mes Beqirajt e Korkutit.
Pas debatit publik, vetëm dy ditë pas zgjedhjes, numri dy i kësaj Akademie, Myzafer Korkuti, kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme.














