Radoniqi shkon personalisht në Slloveni për ta “mbikëqyrë” procesin e shtypjes së fletëvotimeve në “Cetis”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar shtypja e fletëvotimeve në shtypshkronjën “Cetis” në Celje të Sllovenisë.
KQZ ka treguar se në procesin e mbikëqyrjes së shtypjes së fletëvotimeve do të përfshihen të gjithë anëtarët e KQZ-së, deri në përfundim të procesit.
Në Celje të Sllovenisë ka qëndruar edhe vetë kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Fillimisht, procesi i shtypjes së fletëvotimeve është mbikëqyrur nga anëtarët Ilir Gashi, Sami Hamiti, Muharrem Nitaj, Violeta Salihu, ndërsa më pas mbikëqyrja është vazhduar nga Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtari Alban Krasniqi. Gjatë ditëve në vijim, fazat përmbyllëse të këtij procesi do të mbikëqyren edhe nga anëtarët e tjerë të KQZ-së Stefan Filipović, Delvir Tairi dhe Shukrije Stolla. Pjesë e këtyre ekipeve janë edhe zyrtarë të Sekretariatit të KQZ-së”, njofton KQZ.

Lexo edheAleanca hap të enjten fushatën në Gjakovë, prezanton programin me fokus te siguria, energjia dhe zhvillimi
KQZ njofton se fletëvotimet përmbajnë elemente të avancuara të sigurisë, të cilat garantojnë autenticitetin dhe mbrojtjen e tyre nga kopjimi apo falsifikimi, në përputhje me standardet e përcaktuara nga KQZ.

“Në përgjithësi, sipas vendimit të KQZ-së për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, janë planifikuar të shtypen 1,778,300 fletëvotime, prej të cilave 1,605,000 për votimin në vendvotime të rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë, 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta; 108,000 për votimin me postë; dhe 28,850 për votimin në përfaqësi diplomatike”, përfundon njoftimi.














