Data 30 korrik e vitit 2019 është datë vendimtare për fatin e Telekomit të Kosovës. Kështu ka thënë Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ku sipas saj pikërisht në këtë datë do të skadojë kontrata e dëmshme për PTK-në lidhur me Z-Mobile, raporton Gazeta Blic.
FSP ka përmendur edhe arsyet se përse pikërisht 30 korriku është data vendimtare e kësaj ndërmarrje.
“Më 30 korrik 2019 skadon kontrata tejet e dëmshme për Telekomin e Kosovës, e lidhur me Z-Mobile vite më parë:
– Rrjeti dhe puna jonë, ndërsa tërë fitimi i Z-Mobile;
– Ngarkesat në rrjet dhe degradimi i shërbimeve tona për shkak të shërbimeve jo-konkuruese të Z-Mobile;
– Rreth 110 milion € humbje për këto vite nga Z-Mobile;
– Vazhdimi i kësaj kontrate është falimentim për Telekomin e Kosovës dhe humbje e vendeve të punës për punëtorët;”, thotë FSP.
Punëtorët e Telekomit të Kosovës përmes një komunikate kanë kërkuar me çdo kusht që mos të vazhdohet kontrata, siç e quajnë ata, korruptive ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile
“Prandaj, ne, punëtorë të Telekomit të Kosovës, kërkojmë me çdo kusht që mos të vazhdohet kontrata korruptive ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile. Përndryshe, paralajmërojmë të gjithë se, bazuar në të drejtat tona sindikale të garantuara me ligj, do ta bojkotojmë çdo aktivitet në punë që ka lidhje më këtë kontratë!”, përfundon shkrimi i tyre./Gazeta Blic