Prokuroria Speciale pushon hetimet ndaj Liburn Aliut për rastin e ambalazhuesve të ujit

Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, lidhur me rastin e njohur si “rasti i ambalazhuesve të ujit”.
Aliu ka njoftuar se ka marrë lajmin nga avokati i tij për vendimin e Prokurorisë Speciale, i cili, sipas tij, është marrë më 11 shtator dhe i është bërë i ditur mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.
Hetimet ndaj Aliut kishin të bënin me dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me faljen e borxheve të taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit.
Në kuadër të këtij procesi, Aliu ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale në muajin gusht të vitit 2026, në cilësinë e të dyshuarit.
Aliu ka thënë se procesi hetimor kishte nisur para dy vitesh dhe se gjatë kësaj kohe ishte përcjellë me spekulime të shumta mediatike.
“Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot, edhe tani që kam marrë detyrën e re”, ka shkruar Aliu.
Ai ka thënë se gjatë periudhës së hetimeve është përballur me, siç i ka quajtur, shpifje dhe ofendime ndaj tij dhe familjes së tij.
“Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar që kam bërë përpjekje në jetë ta zbatoj me modesti”, ka deklaruar ai.

Lexo edheRamadani kritikon Hamzën dhe Abdixhikun: Takimet me Kurtin ishin vetëm për të blerë kohë dhe për fotografi
Aliu ka thënë se ka zgjedhur të mos reagojë ndaj këtyre akuzave dhe se e ka mirëpritur procesin hetimor.
“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm”, ka shkruar ai.
Në fund, ish-ministri ka thënë se është i gatshëm të përballet me kritikat dhe pretendimet që mund të bëhen ndaj tij edhe në të ardhmen.
“Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën”, ka shkruar Aliu. /Lajmi.net/












