Prishtina e ka arritur fitoren e dytë në dy ndeshjet e para në sezonin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.
Kryeqytetasit në “Fadil Vokrri” triumfuan pastër 3:0 ndaj Llapit, shkruan Gazeta Express.
Ilievski kaloi vendasit në epërsi në minutën e 38-të të ndeshjes, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në minutën e 58-të, Rin Ahmeti u tregua i saktë nga penalltia për 2:0.
Në minutën e 10-të shtesë, Valmir Veliu shënoi nga penalltia për epilogun e këtij takimi, Prishtina 3, Llapi 0.
Me këtë fitore, Prishtina bashkohet me Ferizajn me nga 6 pikë në krye të tabelës.
Në anën tjetër, Llapi i Tahir Batatinës mbetet me një pikë në dy ndeshjet e para sezonale.