Prag Pavarësie/Elvisi dhe Loriku luten për shpirtrat e Jasharajve
Në prag të ditës së Pavarësisë së Kosovës, ish-kapiteni i Kombëtares Kuq e Zi, Lorik Cana dhe Elvis Naçi vizituan kompleksin memorial “Adem Jashari” në fshatin Prekaz të Kosovës. Kulla e familjes Jashari është dëshmi e gjallë e asaj që ndodhi më 5 mars 1998. Dita e zezë e 5 marsit do të ngelet gjithmonë në kujtesën e mbarë popullit të Kosovës.
Forcat serbe vranë 59 anëtarë të familjes Jashari. Atë ditë u bashkuan të gjithë për të luftuar, djem e vajza, burra, gra, pleq, fëmijë. Beteja e Jasharëve dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Pasi iu vra gruaja dhe disa fëmijë në ditën e parë e të dytë të betejës, data 7 mars 1998 do të shënonte rënien e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.
Përqendrimi i vëmendjes së ushtrisë dhe milicisë serbe ndaj familjes Jashari nuk ishte i rastësishëm. Ata e dinin se brenda atyre kullave ishte bërthama e luftës ose mendja e saj. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci. Ciceroni i këtij kompleksi në Prekaz i tregon Elvisit dhe Lorikut se për vite më radhë besohet se kanë ardhur dhe e kanë vizituar miliona qytetarë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe nga shumë shtete të botës.
Përveç shtëpive të shndërruara në muze, këtu gjenden edhe të gjitha varret e të rënëve në luftë të familjes Jashari. Elvis Naçi qëndron pranë varreve dhe lutet për shpirtrat e tyre.
Pranë varrit të tre martirëve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari qëndrojnë gjithmonë dy efektivë të Gardës, të cilët nderon Komandantin Legjendar dhe mbarë familjen Jashari.
Lorik Cana i thotë Elvisit se ky vend është kthyer në pelegrinazh për mbarë shqiptarinë.
Lexo edheDW: Rasti i abuzimit në Drenas dhe shumë pikëpyetje
“Ky vend të kthen me këmbë në tokë, të bën të reflektosh, mendon se çfarë mund të bësh për njerëzit e tu” shprehet Loriku.
“Shikojmë sot këtë familje që ka derdhur gjak për të mbrojtur vendin e tyre. Ne në kohe lufte nxjerrim trima, por jo larg prej këtu kemi një familje qe jetojnë në kushte të vështira, kemi shkuar natën i kemi vizituar muaj më parë, nuk kam fjale te ta përshkruaj” shprehet Elvisi.
(BalkanWeb)


















