Portier italian për Shqipërinë? Mediat fqinje hapin rregulloret: Ja sa shanse ka Caprile të vishet kuqezi

Marrja e pasaportës shqiptare nga Elia Caprile ka rikthyer vëmendjen te mundësia që portieri i Cagliarit të veshë fanellën kuqezi, por një rast i ngjashëm i ndodhur në futbollin evropian mund ta komplikojë këtë skenar.
Media italiane Sportmediaset ka vënë në dukje precedentin e mesfushorit Vitaly Janelt, i cili u përball me një situatë të ngjashme kur u diskutua mundësia që ai të përfaqësonte Bosnjën, vend me të cilin kishte lidhje përmes bashkëshortes së tij.
Sipas raportimit, FIFA nuk e lejoi Janeltin të ndryshonte përfaqësuese, pavarësisht lidhjes familjare me Bosnjën. Mesfushori përfundimisht debutoi me kombëtaren e Gjermanisë. Ky precedent rikthen pikëpyetjet mbi mundësinë që Caprile të jetë i disponueshëm për Shqipërinë, edhe pas marrjes së shtetësisë shqiptare.
Portieri italian është pajisur me shtetësinë shqiptare përmes një dekreti të presidentit Bajram Begaj, të firmosur më 19 tetor. Lidhja e tij me Shqipërinë vjen përmes bashkëshortes, Emili Toshkollari, e cila është me origjinë shqiptare.
Megjithatë, marrja e shtetësisë nuk nënkupton automatikisht se një futbollist ka të drejtë të përfaqësojë kombëtaren e vendit që i ka dhënë pasaportën. Për këtë nevojitet përmbushja e kritereve sportive të përcaktuara nga FIFA dhe, në rastin konkret, shqyrtimi i dokumentacionit përkatës nga institucioni drejtues i futbollit botëror.

Lexo edheReagon Bayerni, kjo është gjendja e Kompany
Caprile nuk ka prejardhje shqiptare dhe nuk ka lidhje familjare të njohur me Shqipërinë përtej bashkëshortes së tij. Pikërisht kjo është një nga çështjet që mund ta vështirësojë procesin e kalimit të tij te kuqezinjtë.
Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë është e kaluara e portierit me përfaqësueset italiane. Caprile ka qenë pjesë e Italisë U-18 dhe U-21, ndërsa më 7 nëntor 2025 u grumbullua edhe nga trajneri i atëhershëm i kombëtares A, Gennaro Gattuso.
Megjithatë, ai nuk u aktivizua në asnjë ndeshje me ekipin e parë të Italisë. Kjo e lë të hapur çështjen e një ndryshimi të mundshëm të përfaqësueses, por nuk e zgjidh problemin e kritereve të tjera që kërkon FIFA.
Për momentin, pasaporta shqiptare është një hap i rëndësishëm në aspektin ligjor, ndërsa mundësia që portieri i Cagliarit të luajë për Shqipërinë mbetet e lidhur me vendimin përfundimtar të FIFA-s.














