Haziri kritikon mënyrën e trajtimit të ligjit për Specialen- nga OVL-UÇK cilësohet se kthimi i Ligjit kthen prapa pritshmëritë e qytetarëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar të papranueshëm kthimin për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke paralajmëruar protesta nëse legjislativi e zvarrit miratimin e tij. Organizuesi i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se përgjegjësia për situatën e krijuar u takon të gjithë deputetëve që e kanë votuar ligjin më 6 tetor.
Reagimet vijnë pasi presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Specialen, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte hartuar dhe sponsorizuar atë.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka reaguar lidhur me kthimin e Ligjit në Kuvend, duke e cilësuar këtë veprim si një hap prapa për pritshmëritë e qytetarëve dhe protestuesve.
Syla në prononcim për lajmi.net ka thënë se ende nuk do ta cilësonte këtë veprim si tradhti, por ka theksuar se qytetarët presin rezultate konkrete dhe jo vetëm deklarata.
“Kthimi i Ligjit në Kuvend është një hap prapa për pritshmëritë e qytetarëve dhe protestuesve. Nuk do ta quaja tradhti pa i parë veprimet e mëtejshme, por qytetarët presin rezultate konkrete, jo vetëm deklarata”, ka deklaruar Syla.
Ai ka shprehur shqetësimin se çdo ligj i ri apo plotësim-ndryshim që mund të vijë pas këtij ligji rrezikon të jetë më i dobët sesa versioni i miratuar më parë.
“Qëndrimi ynë është se çfarëdo ligji apo plotësim-ndryshimi që vjen pas këtij ligji, ka rrezik të jetë më i dobët se versioni që u miratua”, është shprehur ai.
Sa i përket mundësisë së përsëritjes së votimit, Syla ka theksuar se vendimi varet nga vullneti dhe përgjegjësia e deputetëve.

Lexo edheZafir Berisha: Për katërshen e UÇK-së në Hagë, jam gati të hyj sërish në luftë
“Sa i përket votimit të përsëritur, kjo varet nga vullneti dhe përgjegjësia e deputetëve”, ka përfunduar Syla.
Ndërsa, organizuesi i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, kritikoi mënyrën se si deputetët e kanë trajtuar ligjin, duke thënë se ndryshimet janë lënë për momentin e fundit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të protestuesve.
Ai kundërshtoi edhe përpjekjet për politizimin e protestave, ndërsa theksoi se përgjegjësia për përmbajtjen e ligjit u takon të gjithë atyre që e kanë votuar.
“Vazhdimisht ka qenë një tendencë për t’i politizua protestat, por realiteti ka qenë diçka tjetër. Presioni për votimin e ligjit për UÇK-në ka qenë për shkak të rrethanave në të cilat kemi qenë. Deputetët kanë pasur një afat kushtetues për shkak të obligimeve për zgjedhjen e presidentit. Duke parë këtë realitet, kemi pasur kërkesë që ta bëjmë ligjin, pastaj temat politike t’i rregullojnë mes vete. Ata e kanë lënë natën e fundit. Ligji gjithmonë ka qenë në një prioritet sekondar për ta. Ne kemi protestuar nga dita e parë, me dy kërkesa për ndryshimin e ligjit dhe fonde të mjaftueshme për ata në Hagë… Është përgjegjësi e të gjithë atyre që e kanë votuar këtë ligj nëse kanë pasur hapësirë dhe mundësi për ta ndryshuar është dashur qysh atëherë”, tha Haziri.
Ndryshe, Presidenca ka bërë të ditur se kthimi i ligjit për rishqyrtim lidhet me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Speciale, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
Ligji, i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe faljen presidenciale./Lajmi.net/












