Policia në Veri arreston një person të kërkuar, i dënuar me 7 muaj burgim

Sot në Stacionin Policor Mitrovicë- Veri është paraqitur personi H.B., i lindur në vitin 2001, i cili paraprakisht ishte kërkuar në vendbanimin e tij në Mitrovicë Veri, pasi Policia kishte pranuar informacione nga qytetarët se i njëjti ndodhej në territorin e Republikës së Kosovës.
Personi në fjalë ishte i kërkuar në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për veprën penale “Vjedhje në tentativë”, dhe ishte i dënuar me 7 muaj burgim efektiv.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi i kërkuar është shoqëruar dhe dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me urdhër-arrestin e lëshuar nga gjykata.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që, sa herë që kanë informacione për persona të kërkuar nga organet e rendit, te njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 192, në stacionin policor më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.

Lexo edhePauzë në Kuvend – Konushevci thotë se propozimi i Simiqit duhet të shqyrtohet sipas rregullave kushtetuese
Të dhënat e qytetarëve do të ruhen në konfidencialitet të plotë.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me realizimin e urdhëresave të gjykatave ndaj personave të kërkuar, të cilët ende nuk u janë përgjigjur thirrjeve të organeve të drejtësisë.












