Policia e Kosovës flet për aksionin e sotëm në Veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës, bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti Special, sot në Mitrovicë Veri ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së z. Oliver Ivanovič.
Operacioni policor i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka përfshirë tri (3) lokacione në të cilat sipas urdhëresës janë kryer kontrolle dhe bastisje ndaj personave të dyshuar lidhur me veprat “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, dhe “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sipas kodit penal të RKS-së.
Në bazë të urdhërkontrollit është arritur të arrestohet personi i dyshuar zyrtar policor me inicialet (R. B.) m/s/k, i përfshirë në urdhërkontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu m/s/k zyrtar policor mbetet në kërkim.
Gjatë realizimit të operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar me inicialet (V. B.) m/s/k, i cili nuk ka qenë i përfshirë në urdhëresë, pasi tek i njëjti në atë lokacion është gjetur një (1) armë.
Në cilësi të provave materiale në këtë operacion policor janë gjetur dhe konfiskuar,

Lexo edheTakohen Lutfi Haziri e Ardian Gjini, ç’po “ziejnë”
gjashë (6) armë të shkurta, prej tyre (2) armë zyrtare, si dhe pajisje të ndryshme elektronike etj.
Me vendim të Prokurorit Special i dyshuari zyrtar policor (R. B.) është dërguar në mbajtje, përderisa personi i dyshuar (V. B.) është liruar në procedurë të rregullt.
Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftën kundër krimit dhe garantimin e rendit kushtetues, si dhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.














