Piktura e artistit britanik Hockney shitet me çmim rekord, për 90,3 milionë dollarë

Një pikturë e famshme e artistit britanik David Hockney është shitur me një çmim rekord në një ankand në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Tabloja e titulluar “Portreti i artistit (Dy figura në pishinë)” është shitur për 90,3 milionë dollarë në një ankand në New York, njoftoi Shtëpia e Ankandeve Christie’s.
Shuma e paguar për pikturën paraqet çmimin më të lartë të paguar ndonjëherë për veprat e ndonjë artisti të gjallë.
Alex Rotter, bashkëkryetar i artit të pas luftës dhe bashkëkohor në Christie’s, në njoftimin e tij në shtator për nxjerrjen e pikturës në shitje, ishte shprehur se kjo tablo e Hockneyt është më e çmuara në mesin e veprave të tij, si nga aspekti i historisë së artit, ashtu edhe nga aspekti i vlerës së saj të tregut.

Lexo edheKush është 13-vjeçarja drenicase që do të këndojë krah Dua Lipës dhe Ermal Metës në Romë
“Piktura reflekton perspektivat evropiane dhe amerikane të një artisti që erdhi të jetojë në Kaliforninë me diell në vitet 60 dhe e pa veten duke jetuar në të dy kontinentet”, kishte thënë Rotter.
Artisti 81-vjeçar jeton ende në Kaliforni.
Rekordi i mëparshëm nga një artist i gjallë ishte vendosur nga statuja “Qeni prej balone” e artistit konceptual Jeff Koons, e cila ishte shitur për 58,4 milionë dollarë në vitin 2013.














