Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili e nisi sot ditën duke akuzuar disa të rinj për organizimin e faljes së namazit në shesh dhe se gjoja mbrapa tyre qëndron profesori Milazim Krasniqi, është demantuar.
Organizatorët e peticionit në rrjetin social Facebook, për hapjen e xhamive, dolën të ishin anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi.org.Shkëlqim Hajdaraj, është njëri nga personat që ka nisur këtë peticion.
Hajdaraj është zyrtarisht anëtar dhe aktivist i partisë së Albin Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.Këtë e ka pranuar vetë Hajdaraj, në një përgjigje për Insajderin.
“Po, e vërtetë është, jam edhe i anëtarësuar si aktivist. Bindjet e mija si për VV-në nuk kanë luajtur pasi që unë ju kam drejtuar me Peticion BIK-ut, jo VV-së”, ka thënë Hajdaraj për Insajderin.Ai ka folur edhe për aksionin e sotëm të organizuar në Sheshin “Skënderbeu” për ta falur namazin e Ikindisë.
“Unë nuk jam organizues sot për protestën, veç e kam përkrahur”, është shprehur ai. Insajderi ka dërguar pyetje edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, për të pyetur rreth qëndrimit të tyre për këtë nismë nga anëtari i tyre, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.
Por duket se përpjekja e Sveçlës për të hequr vëmendjen se mbrapa aksionit qëndrojnë disa aktivistë të VV-së duke u munduar ta lidhë profesorin universitar Milazim Krasniqi me ta, ka irrituar shumë qytetarë, por edhe vet organizatorët e aksionit “Falu n’shesh”.Ata i kanë reaguar ashpër Xhelal Sveçlës përmes një postimi në Facebook.
“Shprehim shqetësimin tonë në lidhje me deklaratat e ministrit në detyre në lidhje me protestën. Ajo që më së paku kemi dëshiruar ka qenë politizimi i kësaj çështje. Ne deklarojmë se nuk kemi të bëjmë asgjë me Milazim Krasniqin apo me këdo tjetër nga sferat politike gjithashtu nuk është i përfshirë asnjë hoxhë.
Të dhënat e organizatoreve janë të ditura për Policinë e Kosovës, pasi kemi dorëzuar fizikisht njoftimin në polici”, thuhet në reagimin e organizatorëve në faqen e tyre në Facebook.
“E kuptojmë qasjen dhe shqetësimin, pasi sot është vështirë të mendohet se bëhet një organizim i çfarëdo natyre pa instrumentalizim politik, por ky organizim është ndryshe. Ju kishim lutur të gjithë individëve dhe grupeve të interesit, që të mos e keqpërdorin për përfitime ditore apo inate personale. Allahu na mundësoftë që të hapen sa më shpejtë xhamitë”, thuhet në reagim.