Dy aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore, Dren Kukaj dhe Qëndrim Sahiti, nuk janë lejuar të hyjnë në zyrat e ndërmarrjes.
Përplasjet për këtë ndërmarrje mes Vetëvendosjes dhe të larguarve nga kjo parti janë vënë në pah sërish të martën, kur punëtorët e sigurimit penguan Kukajn e Sahitin të protokollojnë vendimin për emërimin e Hajdar Hoxhës kryeshef të ndërmarrjes, pasi atij aktual i ka skaduar mandati më 31 mars.
Kukaj e Sahiti kanë thënë se hyrja iu pamundësua me urdhër të personave që u ka skaduar kontrata dhe qëndrojnë jashtëligjshëm aty. Janë shprehur se ndryshe kapja e një ndërmarrjeje nuk është, transmeton KTV.
Në anën tjetër nga NPB-ja kanë thënë se çdo takim i Bordit të Drejtorëve apo Komisionit të Aksionarëve me stafin administrativ të ndërmarrjes, është në kundërshtim me parimet e qeverisjes korporatave.