Përmbytjet në Shqipëri, Haradinaj mbledh krerët e institucioneve të vendit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant, Rrahman Rama dhe drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni.
Kryeministri Haradinaj u njoftua nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me gjendjen e krijuar pas përmbytjeve nga moti i lig që ka përfshirë Republikën e Shqipërisë dhe përpjekjet për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në zona të ndryshme.
Ministrat Berisha dhe Sefaj, si dhe drejtuesit e FSK-së dhe të Policisë së Kosovës e njoftuan kryeministrin Haradinaj me koordinimin e institucioneve të Kosovës me ato të Shqipërisë për ta ndihmuar në këtë situatë të vështirë.
Lexo edhePDK-ja ia përgatit “kulaçin” Haradinajt: Ky është skenari për rrëzimin e Ramush Haradinajt
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do ta vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë në këtë situatë të rëndë dhe theksoi se Qeveria e vendit ka ofruar ndihmën e gjithanshme pas përmbytjeve në Shqipëri përmes njësive të FSK-së dhe agjencive të emergjencave. Ai tha se është me rëndësi që të bëhet koordinimi i institucioneve të vendit me ato të Republikës së Shqipërisë për veprimet e nevojshme, me qëllim që t’i dilet në ndihmë shtetit shqiptar dhe banorëve të zonave të përmbytura. /Drenica Press/














