Kurti takon senatorët amerikanë, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë senatoren amerikane Jeanne Shaheen dhe senatorin Dick Durbin, në kuadër të vizitës së tyre të fundit në Kosovë.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se me dy senatorët amerikanë ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
Kurti ka thënë se nga senatorët ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e bazës ushtarake Bondsteel në bazë të përhershme.
Ai ka vlerësuar kontributin e Shaheen dhe Durbin në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së, duke theksuar se të dy i kanë uruar për mandatin e ri qeverisës dhe zgjedhjen e presidentes së Kosovës.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për çështjet e sigurisë, me theks te deklaratat dhe veprimet e Serbisë, të cilat kryeministri i ka cilësuar si shqetësuese. Ai ka përmendur edhe raportet ndërmjet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Milan Radoiçiqit.

Lexo edheBuja: UÇK-ja u çarmatos më 21 qershor 1999, nuk mund të akuzohet për vrasje
Në takim janë trajtuar gjithashtu reformat në arsim dhe drejtësi, procesi i vettingut, si dhe krijimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kurti ka përmendur edhe zhvillimet ekonomike, duke bërë të ditur se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit dhe se ky sektor përbën aktualisht 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Ai ka theksuar se ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet me mbi 4 për qind, ndërsa ka paralajmëruar se gjatë mandatit të ri qeverisës synohet të ketë investime në hekurudha, diga, industrinë e mbrojtjes dhe stadiume sportive, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030./IndeksOnline/












