Përmbytje në Argjentinë, dy viktima dhe mbi 2 mijë persona të evakuuar

Përmbytjet në verilindje të Argjentinës kanë shkaktuar vdekjen e dy personave dhe kanë detyruar më shumë se 2,000 të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa rritja e nivelit të lumenjve kërcënon komunitetet në të gjithë rajonin.
Sipas raportimit, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve Parana, Uruguai dhe Iguazu, duke prekur komunitetet pranë kufijve të Argjentinës me Brazilin, Paraguain dhe Uruguain.
Në provincën Chaco, në verilindje të vendit, kryesisht në Puerto Vilelas dhe Barranqueras, nga 1,200 deri në 1,300 persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, bëri të ditur zëvendëssekretari provincial i Mbrojtjes Civile, Gustavo Santos.
“Kjo do të vazhdojë për disa muaj. Lumi do të vazhdojë të rritet dhe të bjerë vazhdimisht”, deklaroi Santos.
Ndërkohë, në provincën fqinje Corrientes, më shumë se 1,000 persona kishin braktisur shtëpitë e tyre, sipas një raporti të Mbrojtjes Civile.

Lexo edheSulmi me një të vrarë e pesë të plagosur në Paris, Macron: Një akt terrorist dhe racist
Ujërat kanë përmbytur disa lagje në Paso de la Patria, një qytet në verilindje të Argjentinës pranë lumit Parana, pasi një digë u shemb nën presionin e ujërave në rritje.
Dy punëtorë humbën jetën nga mbytja në provincën Corrientes, teksa transportonin bagëtinë nga një ishull në tjetrin, në përpjekje për t’i shpëtuar nga përmbytjet.
Autoritetet kanë paralajmëruar se parashikimet për reshje në pjesët e sipërme të pellgjeve të lumenjve Parana dhe Uruguai mund të shkaktojnë rritje të mëtejshme të nivelit të ujërave gjatë javës së ardhshme.














