Në një konferencë me gazetarë, lideri i PDK-së bëri të ditur se i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.
Pas këtij vendimi të Veselit, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Kështu bëri të ditur vetë ministri Beqaj në një konferencë për media, ku tha se është plotësisht i bindur në pafajësinë e tij.
Beqaj shtoi tha se drejtësia do ta vërtetoj pafajësinë e tij duke u bazuar në prova dhe fakte dhe shtoi se vepra për të cilën akuzohet nuk është vepër korruptive.
“Kam paraqitur dorëheqjen time tek kryeministri, Ramush Haradinaj. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse ku jam edhe vet në PDK. Jam plotësisht i bindur që këto aktakuza janë të paargumentuara. Besoj që drejtësia do ta vërtetoj pafajësinë time duke u u bazuar në prova dhe fakte. Vepra që po akuzohem nuk ka asnjë nivel të korrupsionit. Për detaje do të flasim në gjykatë”, pati thënë Beqaj.
Ndërsa pas dorëheqjes së ministrit Beqaj, janë bërë dhjetë ditë që Ministria e Inovacionit është duke u udhëhequr nga zëvendësministri.















