Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i ka kushtuar një mesazh Çlirim Hazirit, organizatorit të protestave të mbajtura për 21 ditë radhazi në Prishtinë, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Çitaku ka vlerësuar angazhimin e Hazirit gjatë këtyre protestave, duke thënë se ai qëndroi në ballë të tyre ditë e natë dhe se përmes zërit të tij mijëra qytetarë shprehën pakënaqësinë e tyre.
“Çlirim, ti e ke ba krenar babën!”, ka shkruar Çitaku, duke iu referuar babait të tij, heroit të luftës së UÇK-së, Xhavit Haziri.
Ajo ka thënë se qëndresa e tij gjatë 21 ditëve të protestës e ka bërë atë, sipas saj, simbol të revoltës qytetare dhe të vlerave që bashkojnë qytetarët.
“Babai u ngrit për lirinë. Ti ngrihesh për dinjitetin e atyre që na e sollën atë. E njëjta dashuri për Kosovën, nga një brez te tjetri”, ka shkruar ajo.
Çitaku i ka bërë thirrje Hazirit që të vazhdojë të jetë zë i qytetarëve.
“Çlirim, mos u ndal. Ruaje atë za të sinqertë dhe atë zemër patrioti që të nxori në shesh. Qytetarët kanë ende shumë për të thënë përmes teje”, ka shkruar Çitaku. /Lajmi.net/