Gruda nga konferenca e PDK-së: Me ligjin e ri, Speciales i vendosim kufij – Kosova hyn në një fazë të re politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar të martën në Kuvendin e Kosovës, synon kufizimin e juridiksionit të kësaj gjykate dhe garantimin e një gjykimi të drejtë.
Në një konferencë për media, Gruda ka thënë se ligji synon që proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të zhvillohen në përputhje me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Ky ligj ka për qëllim të kufizojë juridiksionin e Gjykatës Speciale dhe të garantojë gjykim të drejtë dhe të bazuar në standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është detyrim edhe për këtë gjykatë”, ka deklaruar Gruda, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se PDK-ja është e bindur se ligji i miratuar nuk cenon asnjë nga detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë përsipër.
“Jemi të bindur se ligji nuk e shkel asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare për të thënë se ky ligj është në përputhje me këto detyrime”, ka thënë ai.
Gruda ka përmendur edhe deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke thënë se PDK-ja e ka mirëpritur qëndrimin e saj se Kosova ka të drejtë të ndryshojë ligjin.
“Ne e mirëpresim deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, znj. von der Leyen, e cila tha se Kosova ka të drejtë ta ndryshojë ligjin. Ky ka qenë një udhërrëfyes për ne për ta draftuar dhe miratuar këtë ligj”, ka deklaruar Gruda.

Lexo edheOVL-UÇK i reagon BE-së: Amendamentet për Dhomat e Specializuara nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare
Në konferencë, Gruda ka uruar edhe Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pulën, pas zgjedhjes së saj nga Kuvendi.
Ai ka thënë se PDK-ja i uron sukses në ushtrimin e detyrës së saj, veçanërisht në respektimin e Kushtetutës, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve.
“E uroj në emër të PDK-së sukses në punën e saj si Presidente, në respektimin e Kushtetutës së Kosovës, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës, veçanërisht në ushtrimin e rolit të saj si përfaqësuese e unitetit juridiko-kushtetues”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, zgjedhja e Shiroka-Pulës mund të shënojë një fazë të re politike në vend, me më shumë balancë institucionale dhe politike.
“Jemi të bindur se profesoresha e nderuar i bën nder Kosovës dhe Zyrës së Presidentes së Kosovës me personalitetin e saj të veçantë dhe mendojmë se Kosova ka hyrë në një fazë të re politike, ku do të ketë balancën e nevojshme kushtetuese dhe politike, që është thelbësore për shëndetin e çdo demokracie, veçanërisht të demokracisë sonë”, ka deklaruar Gruda. /Lajmi.net/












