Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i janë drejtuar sërish me kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të caktojë vazhdimin e seancës për nesër, më 22 gusht, në orën 11:00.
Përmes një letre, PDK-ja ka kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë, duke vlerësuar se moskonstituimi i tij brenda afateve kushtetuese ka krijuar një situatë serioze institucionale, transmeton lajmi.net.
Sipas deputetëve të PDK-së, vonesat në këtë proces përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
‘’Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë. Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij.
Në letrën drejtuar Deharit, deputetët e PDK-së kanë kërkuar që vazhdimi i seancës të mbahet në kohën e propozuar, me qëllim që të ecet përpara me përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit./lajmi.net/