Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka nxjerrë një vendim për ndërmarrjen e masave të menjëhershme dhe emergjente me synim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi i datës 13 prill 2026 bazohet në dispozita të ndryshme ligjore që rregullojnë funksionimin e administratës shtetërore dhe standardet e sigurisë në punë në Republikën e Kosovës.
Në komunikatë theksohet se masat e ndërmarra synojnë ndërhyrje të shpejta për përmirësimin e kushteve të punës, duke adresuar rreziqet që mund të cenojnë shëndetin dhe jetën e punëtorëve.
Vëmendje e veçantë i kushtohet sektorëve ku incidenca e aksidenteve në punë është më e lartë.
Po ashtu, ministri Hoti bëri të ditur se ky vendim është pjesë e përpjekjeve institucionale për forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe zbatimit të standardeve të sigurisë në punë, si dhe për rritjen e përgjegjësisë së punëdhënësve në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Detajet lidhur me zbatimin e masave dhe institucionet përgjegjëse pritet të përcaktohen përmes akteve nënligjore dhe udhëzimeve përkatëse që do të pasojnë këtë vendim.
