Pa punu asgjë- 120 deputetët e zgjedhur pritet t’i kushtojnë buxhetit mbi 229 mijë euro për pagat e këtij muaji

Anipse thuajse me asnjë ditë punë, xhirollogaritë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të mbushen me para, madje hiç më larg se sot ose të hënën.
Pikërisht tani kur veçse shënon fundi i muajit gusht, deputetët e betuar të Kuvendit të pakonstituuar do të marrin pagat e majme nga buxheti i Kosovës.
Pa shkuar fare në punë, pa kryer asnjë punë, pa bërë asnjë për këtë vend- këta të zgjedhur të popullit do të mund t’i shpenzojnë këto para siç ua do zemra,e gjithë kjo falë mundësisë që iu dha që vetëm të betohen e më pas të mos bëjnë më asgjë.
Kësisoj pavarësisht krizës politike dhe mungesës së konstituimit të Kuvendit të ri, deputetët vazhdojnë të marrin pagën bazë mujore.
Paga bruto mujore e një deputeti është 1,914 euro, transmeton lajmi.net.
Nëse llogaritet për të gjithë 120 deputetët e Kuvendit, kostoja mujore vetëm për pagat bazë arrin në rreth 229,680 euro nga buxheti i shtetit, ndërsa në nivel vjetor do të ishte rreth 2.75 milionë euro.
Në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë shtesat apo shpenzimet e tjera. Paga prej 1,914 eurosh është raportuar si paga bazë e deputetëve pas rritjes së aplikuar nga korriku.

Lexo edhePDK përsëri në sallën plenare, Musliu: Kosova është marrë peng nga LVV
Ndërkohë, Kuvendi i ri ende nuk ka arritur të konstituohet dhe institucionet e reja nuk janë formuar. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet përfundimtare më 8 korrik, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Edhe pse pas certifikimit duhej të niste procesi i konstituimit të Kuvendit, partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e ngërçit. Seanca konstituive është thirrur dhe ka vazhduar disa herë, por pa përfunduar procesi.
Kështu, ndërsa vendi mbetet në krizë institucionale dhe Kuvendi nuk po arrin të nisë punën në mënyrë funksionale, pagesat për deputetët vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit.
Vetëvendosje duke qenë e pranishme në seancën e parë e mundësoi betimin e deputetëve, disa prej tyre që vazhdojnë të jenë edhe deputet edhe ministra- e më pas dështoi vazhdimi i konstituimit teksa Albin Kurti kërkon kohë shtesë. Por, kryesorja deputetëve iu mundësua që t’ia marrin buxhetit mbi 200 mijë euro këtë muaj, pa bërë absolutisht asgjë./Lajmi.net/












