Pa ndihmë nga shteti, Prokuroria e udhëzoi Arlinda Zekajn të shkojë në shtëpinë e vëllezërve- Çka dihet deri tani nga rasti tragjik

Tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin mund t’ia rrezikonte jetën. Këtë e bëri të ditur Prokuroria Themelore në Pejë më 26 tetor.
Sipas saj, prokurori dhe hetuesit kishin planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë shtëpisë gjatë kthimit të Zekajt.
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, me goditje me një mjet të fortë. Sipas Prokurorisë, ajo sapo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia.
Ajo ishte kthyer në shtëpi pas raportimit të dhunës në familje, me ç’rast ishte arrestuar dhe ndaluar ish-bashkëshorti i saj.
Më 22 tetor, Zekaj i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj për dështime në trajtimin e rasteve të saj. Ajo kishte kërkuar edhe zbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.
Një ditë më pas, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në marrëdhënie familjare.
Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi të hënën raport të detajuar dhe analizë të rastit. Ai kërkoi të sqarohej “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale”.
Me kërkesë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, sot në orën 16 pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në lidhje me këtë vrasje.
Në lidhje me këtë vrasje ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula si dhe Misioni i Kombeve të Bashkuar në Kosovë (UNMIK).
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion QIKA, kreu një aksion simbolik duke derdhur ngjyrë të kuqe në shkallët pranë ndërtesës së Qeverisë në kryeqytet, si dhe duke e vendosur një baner me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në portën e ndërtesës.
Si u vra Arlinda Zekaj?
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor, rreth orës 21:00.
Më herët atë mbrëmje, Zekaj kishte raportuar dhunë në familje. Sipas Prokurororisë, ish-bashkëshorti i saj, J.S., ishte ndaluar për 48 orë. Ndaj tij ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës.
Ndërkohë Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin siç tha Policia “me vullnetin e saj”.
Pak më vonë, Zekaj u konstatua e vrarë nga goditjet me një mjet të fortë.
Njoftimi i fundit i Prokurorisë së Pejës nuk sqaron nëse policia kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të saj atë mbrëmje. I dyshuari për vrasjen, kunati i saj A.S., ende gjendet në arrati.
Sipas Prokurorisë, Zekajt i ishte ofruar mundësia të shkonte në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.
Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë gjatë ditës kërkoi raport të detajuar dhe analizë për të parë “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale” në trajtimin e rastit.
Për vrasjen reagoi edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila kërkoi “hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen”.
“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, tha ajo.
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Peter Due, dënoi ashpër vrasjen e Zekajt.
“Dhuna ndaj grave nuk duhet toleruar kurrë”, tha Due, duke kërkuar hetim të plotë dhe llogaridhënie.

Lexo edhe18 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit, IKSHPK e rikujton se vaksinimi është masa e kryesore për parandalimin e tij
Të paktën 67 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin bashkëshortët.
Viktima ishte ankuar për dështime institucionale tri ditë para vrasjes
Arlinda Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse tri ditë para se të vritej.
Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi më 26 tetor se kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj kishte pranuar një kërkesë nga viktima më 22 tetor, me pretendime për dështime në trajtimin e rasteve të saj, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor.
Sipas Prokurorisë, Gjykata kishte urdhëruar më 16 tetor që ish-bashkëshorti i Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, që kishte hyrë në fuqi menjëherë.
Zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për pengesat eventuale, sipas njoftimit, ishin përgjegjësi e Policisë.
Prokuroria tha se, kur Zekaj kishte kërkuar kthimin në shtëpi, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj. Ai kishte kontaktuar vëllezërit e viktimës dhe kishte udhëzuar që ajo të qëndronte te ta.
Pas bisedimeve, sipas Prokurorisë, Zekaj kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen një patrullë policore ta shoqëronte për t’u kthyer në shtëpi.
Prokurori dhe hetuesit kishin vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar, një patrullë të qëndronte pranë shtëpisë. Këto veprime, sipas njoftimit, ishin dokumentuar në një procesverbal të 22 tetorit, për të cilin ishte kërkuar të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes.
Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt për kanosje në kuadër të marrëdhënies familjare.
Njoftimi nuk sqaron nëse policia kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të viktimës më 25 tetor.
Lidhur me pretendimet e Zekajt për dështime institucionale, Prokuroria tha se kryeprokurorja kishte iniciuar rast për të hetuar nëse veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve përmbanin elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kërkesa e saj u ishte përcjellë për trajtim urgjent edhe Policisë, Gjykatës Themelore në Pejë, institucioneve të mirëqenies sociale dhe Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit autorizoi koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku Zekaj kishte qenë viktimë.
Nga kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar për kronologjinë e rasteve, prokurorët që i trajtuan, vendimet dhe veprimet e ndërmarra, përfshirë trajtimin e kërkesës së 22 tetorit.
Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të hetojë dhe verifikojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e Zekajt.
Kosova ndryshoi legjislacionin më 2023 për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje, ndërsa në dhjetor 2024 lansoi sistemin e mbikëqyrjes elektronike, që synon edhe mbrojtjen e viktimave.
Megjithatë, përfaqësuese të organizatave për drejtësi dhe të drejtat e grave i thanë REL-it në gusht se sfidë mbeten monitorimi i rasteve të raportuara, reagimi ndaj rrezikut dhe zbatimi i masave mbrojtëse.
Ato kërkuan edhe llogaridhënie institucionale në rastet kur gratë vriten pasi kanë kërkuar ndihmë.












