Osmani për vdekjen e Brovinës: Një grua që tërë jetën ia kushtoi Kosovës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vdekjes së mjekes, humanistes dhe ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.
Osmani ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Brovinës, duke e vlerësuar lart kontributin e saj për Kosovën, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
“Sot ndahemi me dhimbje nga Dr. Flora Brovina, një grua që tërë jetën e saj ia kushtoi Kosovës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka rikujtuar angazhimin e Brovinës gjatë viteve ’90, kur, siç ka thënë Osmani, ajo u përball me represionin dhe dhunën serbe.
“Në vitet e errëta të ’90-ta, ajo nuk qëndroi anash. Si mjeke, humaniste dhe zë i fuqishëm i gruas shqiptare, ajo u përball me represionin, dhunën dhe padrejtësinë serbe”, ka deklaruar Osmani.
Ish-presidentja ka përmendur edhe arrestimin e Brovinës më 20 prill 1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, dhe dërgimin e saj në burgjet serbe.

Lexo edheLargohet nga lumi Bistrica trupi i pajetë i viktimës në Zajm
“Por as burgu, as torturat, as presioni nuk e thyen”, ka shkruar Osmani, duke e cilësuar Brovinën si simbol të qëndresës.
Sipas saj, Flora Brovina edhe gjatë kohës së burgimit nuk hoqi dorë nga bindjet dhe angazhimi i saj për Kosovën dhe lirinë.
Osmani ka theksuar se angazhimi i Brovinës nuk përfundoi me luftën, pasi ajo vazhdoi aktivitetin publik dhe shërbeu në disa mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Kujtimi për jetën, sakrificën dhe qëndresën e saj do të mbetet pjesë e pandashme e historisë së Kosovës”, ka përfunduar Osmani.












