KDI: Katër çështje kushtetuese mbeten të hapura edhe pas konstituimit të Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të sqarojë pasojat juridike të shkeljeve të evidentuara gjatë procesit të fundit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për media, KDI prezantoi analizën “Konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues”, e cila trajton katër çështje kryesore: tejkalimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, të drejtën e grupit më të madh parlamentar për propozimin e kryetarit, ndërprerjen e seancës përtej afatit 48-orësh dhe kompetencat e kryesuesit të përkohshëm.
Eugen Cakolli tha se, ndonëse Kuvendi është konstituuar dhe Qeveria është votuar më 13 shtator, çështjet kushtetuese të ngritura gjatë këtij procesi mbeten të hapura.
Sipas tij, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht dhe është shkelur.
“Tash duhet të sqarohet çfarë pasoje juridike prodhon kjo shkelje, nëse mund të vazhdohet procesi pas skadimit të afatit, dhe nëse po, mbi cilat rregulla do duhej të ndodhte kjo”, tha Cakolli.
Ai paralajmëroi se mungesa e një sqarimi mund t’u krijojë hapësirë akterëve politikë që edhe në legjislaturat e ardhshme ta përshtatin kohëzgjatjen e konstituimit me marrëveshjet dhe kalkulimet politike.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku foli për të drejtën e grupit më të madh parlamentar për të propozuar Kryetarin e Kuvendit. Ai tha se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë nëse kjo e drejtë mund të shterohet, në çfarë rrethanash dhe si duhet të vazhdojë procedura në rast se propozimi mungon dhe procesi mbetet i bllokuar.

Lexo edheNjë ditë para aktgjykimit, Veselit dhe Krasniqit u vazhdohet paraburgimi
KDI ngriti shqetësime edhe për ndërprerjen e seancës. Sipas analizës, ndërmjet vazhdimeve të seancës më 8 gusht dhe 9 shtator kaluan 32 ditë, duke tejkaluar kufirin maksimal prej 48 orësh të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit.
Në analizë është trajtuar edhe roli i kryesuesit të përkohshëm, veçanërisht situata kur mosveprimi i tij zgjat dhe mund të konsiderohet si refuzim.
KDI i ka bërë thirrje palëve të autorizuara që këto çështje t’i adresojnë në Gjykatën Kushtetuese përmes kërkesave që përmbushin kushtet dhe afatet procedurale.
Instituti gjithashtu kërkon që Gjykata Kushtetuese, në rast të pranimit të kërkesave për këtë çështje, t’i trajtojë ato me përparësi dhe procedurë të përshpejtuar, pasi Kuvendi dhe Qeveria tashmë janë funksionale, ndërsa pasojat juridike të shkeljeve gjatë procesit të konstituimit mbeten të pasqaruara.












