Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se pas lëndimit të pësuar gjatë seancës së djeshme stërvitore, qendërmbrojtësi Andi Hoti është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës.
Nga ekzaminimet e kryera nga stafi mjekësor i Kombëtares, është konstatuar se futbollisti i Eintracht Braunschweig ka pësuar pëlkim të nyjës talokrurale, lëndim ky i cili pritet ta mbajë jashtë fushës për disa javë.
Si rrjedhojë, Hoti nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për dy ndeshjet miqësore të këtij grumbullimi.
Megjithatë, Dardanët do të vazhdojnë sot përgatitjet me seancën e radhës stërvitore, e cila do të zhvillohet në orën 16:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” pritet që nesër të udhëtojnë drejt Pragës, ku të dielën do ta zhvillojnë ndeshjen miqësore kundër Çekisë.