Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 59-të të këtij viti, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku mori vendime të rëndësishme për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 7 qershor 2026.
Në fillim të mbledhjes, KQZ akreditoi grupin e parë prej 761 vëzhguesve për procesin zgjedhor. Nga organizatat joqeveritare vendore, Kosova Democratic Institute udhëheq me 305 vëzhgues, ndërsa Syri i Vizionit do të angazhojë 153 vëzhgues. Nga organizatat ndërkombëtare, Nacional Democratic Institute ka 14 vëzhgues. Po ashtu, mediat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësitë diplomatike të Japonisë dhe Italisë, do të monitorojnë procesin.
KQZ refuzoi akreditimin e dy organizatave: OJQ “Advocacy Center for Democratic Culture” për shkak të mungesës së aktivitetit lidhur me procesin zgjedhor, dhe organizatës ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju” për përdorimin e terminologjisë “Kosovë dhe Metohi”, e cila bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës. Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditim do të përfundojë më 30 maj 2026.
Gjatë mbledhjes, KQZ miratoi gjithashtu emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve, që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë vendit. Për votimin e rregullt në 2,498 vendvotime, do të angazhohen 12,678 anëtarë, përfshirë 1,043 rezervë. Ndërsa për votimin me kusht në 52 vendvotime do të angazhohen 192 anëtarë.
Në kuadër të votimit jashtë vendit, në 30 përfaqësi diplomatike (17 ambasada dhe 13 konsullata) në 18 shtete të botës, do të angazhohen rreth 200 anëtarë, duke përfshirë menaxherë, zyrtarë asistues dhe staf rezervë, të cilët do të administrjnë procesin e votimit dhe tërheqjen e dërgesave postare.
KQZ thekson se të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhore përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe janë përgjegjës për administrimin dhe organizimin e procesit zgjedhor në vendvotime.
Njoftimi i plotë:
Komisioni Qendror i zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 59-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të parë me 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor, si në vijim:
OJQ VENDORE:
- INTERNEWS KOSOVA – 23 vëzhgues;
- BIRN KOSOVO – 45 vëzhgues;
- Demokracia për Zhvillim (D4D) – 6 vëzhgues;
- Kosova Democratic Institute – 305 vëzhgues;
- Syri i Vizionit – 153 vëzhgues.
ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:
- Nacional Democratic Institute – 14 vëzhgues.
MEDIA VENDORE:
- Urgjent Inc. – 3 vëzhgues;
- Albswiss Media SHPK – 2 vëzhgues;
- VIM INFO DOO – 14 vëzhgues;
- Telegrafi – 6 vëzhgues;
- Lajmi. net – 4 vëzhgues;
- KoSSev – 5 vëzhgues;
- Zëri – 3 vëzhgues;
- Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;
- Kontakt Kosvska Mitrovica/Kontakt Plus – 4 vëzhgues;
- TV DUKAGJINI – 38 vëzhgues;
- RTV PULS D.O.O – 7 vëzhgues;
- Radio Kim – 3 vëzhgues;
- KOHA – 23 vëzhgues.
MEDIA NDËRKOMBËTARE:
- The Associated Press – 8 vëzhgues;
- Novinska agencija Tanjug i Tanjug televizija – 4 vëzhgues;
- Top News – 5 vëzhgues;
- European Pressphoto Agency (EPA Images) – 1 vëzhgues;
- Mondo Inc doo – Kurir televizija – 2 vëzhgues;
- Radio Evropa e Lire – 3 vëzhgues;
- GERMAN RADIO &TV ARD – 3 vëzhgues.
PËRFAQËSI DIPLOMATIKE:
- Ambasada e Japonisë në Kosovë – 4 vëzhgues;
- Ambasada e Italisë në Prishtinë – 4 vëzhgues.
INSTITUCION VENDOR:
- Institucioni i Avokatit të Popullit – 67 vëzhgues.
Gjithashtu, KQZ mbështeti rekomandimin për refuzimin e akreditimit për një organizatë jo-qeveritare “Advocacy Center for Democratic Culture” dhe një organizatë ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju”.
Gjatë shqyrtimit dhe velrësimit të dokumentacionit të paraqitur nga OJQ “Advocacy Center for Democratic Culture” rezulton se nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhem me proceset zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet shprehimisht nga dispozitat ligjore në fuqi për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Ndërkaq, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga organizata ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju”, konstatohet se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.
Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 maj do të përfundojë më 30 maj 2026. Deri në përfundim të kësaj periudhe 26-ditore, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.
Në vazhdim të mbledhjes së 59-të, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendime të veçanta për emërimin e anëtarëve të trupave zgjedhore që do të angazhohen gjatë fazave të ndryshme në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, si brenda dhe jashtë vendit, më 6 dhe 7 qershor 2026.
Fillimisht, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta dhe me kusht të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, më 7 qershor 2026. Sipas vendimit të KQZ-së, në 2,498 vendvotime për votimin e rregullt (911 Qendra Votimi) do të angazhohen 12,678 anëtarë, 1,043 prej të cilëve janë anëtarë rezervë. Në mbledhjen e radhës, planifikohet emërimi edhe i rreth 700 anëtarëve për angazhim në vendvotime të rregullta në komuna të ndryshme të vendit. Ndërkaq, në 52 vendvotime për votimin me kusht (38 Qendra Votimi) do të angazhohen 192 anëtarë. Anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve të emëruar nga KQZ, përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjegjëse për përgtitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.
Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, të cilët do të angazhohen në procesin e votimit që do të zhvillohet më 6 qershor 2026. Sipas vendimit të KQZ-së, në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike (17 ambasada dhe 13 konsullata) të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, do të angazhohen rreth 200 anëtarë, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike.
Lidhur me votimin jashtë vendit, KQZ mori vendim për emërimin e menaxherëve, zyrtarëve për asistim dhe stafit rezervë në Qendrat e Votimit në përfaqësi diplomatike si dhe autorizimi i zyrtarëve për tërheqjen e dërgesave postare nga kutitë postare të cilat i takojnë votimit përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës./lajmi.net/