back to top
Tuesday, January 27, 2026
BallinaLajmeNgritja e pazakontë për 214% e kandidatit të LVV-së nxit reagime publike

Ngritja e pazakontë për 214% e kandidatit të LVV-së nxit reagime publike

Të ngjajshme

Ngritja e pazakontë në vota e Alban Bajramit ka nxitur debat publik mbi procesin e numërimit të votave. Alarmin për kërcimin gjigant elektoral të ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje e ka ngritur avokati Arianit Koci.

Në të njëjtën linjë dyshohet se ka aluduar edhe Nezir Kraki, kolegu partiak i Bajramit. Rritja disproporcionale e kandidatit ka ngjallur reagime edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare po shkon drejt përmbylljes, rritja disproporcionale e një kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ka ngjallur debat publik.

Alban Bajrami, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ka kapërcyer nga jashtë pragut minimal të sigurimit të një ulëseje deputeti në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në top 15-shën e kandidatëve më të votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e mbajtura 10 muaj më vonë.

Bajrami, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kishte siguruar  13 mijë e 594 vota sipas KQZ-së, rreth katër mijë vota më pak sesa Rozeta Hajdari, e cila me pak mbi 17 mijë vota kishte siguruar ulësen e 48-të të LVV-së në legjislaturën e fundit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Bajrami, ndonëse me mungesë të prezencës në Kuvendin e Kosovës, ka kryer një kapërcim të jashtëzakonshëm elektoral duke shënuar rritje prej 214% në vota krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

Statistikat nga zgjedhjet e kaluara dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet aktuale tregojnë se Bajrami i ka trefishuar votat.

Në këto zgjedhje, ish-deputeti nga Ferizaj ka fituar 29,061 vota më shumë sesa në zgjedhjet e fundit, bazuar në rezultatet e KQZ-së pas numërimit të rreth 98% të votave.

Alarmi i Krakit: “Veç edhe votat e kandidatëve me u pas numëru korrekt”

Alarmin për ngritjen disproporcionale të Bajramit e kanë ngritur publikisht avokati Arianit Koci. Në të njëjtën linjë dyshohet se ka aluduar edhe Nezir Kraki, kolegu partiak i tij, i cili me dukshëm prezencë më të fuqishme publike dhe mediatike sesa Bajrami e ka rritur votën e tij për 22% krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Koci, ndonëse nuk e ka përmendur me emër dhe mbiemër, nga të dhënat e publikuara në një postim në Facebook të martën ka aluduar direkt te Alban Bajrami kur e ka ngritur rritjen e jashtëzakonshme të tij si “çudi elektorale”.

Avokati Koci ka thënë se i intereson të dijë formulën se si ka mundur të rritet vota kaq shumë, pa pasur rastin ta dëshmojë me punë konkrete deputeti Bajrami.

“Si shpjegohet që një kandidat, nga rreth 13.000 vota në shkurt 2025, kalon në afro 45.000 në dhjetor 2025? Në këtë periudhë Kuvendi s’ka qenë funksional. S’ka pasur ligje, reforma, rezultate”, ka shkruar Koci. “Atëherë: a është problemi te votuesi? Si i jepet gati katërfish më shumë besim dikujt që s’ka pasur as rast me u dëshmu?”.

Ndërkaq, ish-deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Nezir Kraki ka alarmuar për procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputet, në një postim në rrjetin social Facebook tri ditë më parë

“Veç edhe votat e kandidatëve me u pas numëru korrekt”, ka shkruar Kraki në postim, i cili besohet t’i drejtohet kërcimit të madh elektoral të Bajramit krahasuar me zgjedhjet e fundit.

Paparaci merr vesh nga burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje se rritja e pazakontë e Bajramit është diskutuar me tone dyshuese edhe brenda partisë.

Por, burimet i kanë thënë mediumit se zyrtarë brenda partisë frikësohen se rritja jashtë mesatarës e kandidatit nga Ferizaj mund të dëmtojë imazhin e Lëvizjes Vetëvendosje, fituese me rezultat plebishitar e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Javën e shkuar derisa po numëroheshin votat e kandidatëve për deputet në qendrat komunale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte raportuar për rritjen disproporcionale krahasuar me zgjedhjet e kaluara të kandidatit që dështoi të zgjidhej deputet legjislaturën e shkuar.

Policina e Kosovës e pyetur në lidhje me procesin e numërimit të votave javën që shkoi dhe nëse ka pranuar denoncime lidhur me procesin, por policia ka mohuar të ketë marrë lajmërim për këtë çështje.

Bajrami: “Kuvendi ka pak hapësirë të tregosh veten, shumica e deklarimeve jepen nëpër media”

Alban Bajrami nuk duket aspak i shqetësuar për diskutimin e ngritur në publik për ngritjen e pazakontë elektorale të tij.

Kandidati për deputet me origjinë nga Ferizaj i ka thënë Paparacit se efekti i rritjes së votës së tij është fushata “më ndryshe në rrjete sociale dhe media”.

“Unë e kom bo angazhimin tem maksimal”, ka thënë Bajrami në një bisedë telefonike të martën. “E kom bo një fushatë më ndryshe në rrjete sociale por edhe nëpër media; është rrit vlerësimi i qytetarëve”.

Sipas Bajramit, mungesa e tij në legjislaturën e nëntë nuk mund të përshkruhet si disavantazh për performancën elektorale të tij.

“Kuvendi zakonisht pak ka hapësirë me shpërfaq veten, shumica e deklarimeve jepen nëpër media edhe nëpër rrjete sociale”, beson ai. “Ka deputetë që nuk flasin kurrë në Kuvend por është çdo natë në media, nëpër emisione”.

Sipas Bajramit, zgjedhjet në Kosovë janë “më të rregulltat në nivel ballkani”.

Ai ka insistuar se nuk ka dëgjuar për alarmimin e mundshëm të figurave partiake për kërcimin e tij elektoral në zgjedhjet e fundit.

“Mua askush nuk më ka thënë asgjë. Fushata gjatë zgjedhjeve është tregu që njerëzit i përcjellin kandidatët. Dmth qytetarët e Kosovës kur të vendosin me votu dikë e bëjnë mirë analizën edhe kur te përkrahin njërin prej 10-të kandidatëve e bëjnë për arsye të caktume”, ka deklaruar Bajrami.

Të Fundit

Sport

ShowBiz