Nga sallat luksoze të Elizesë në muret e zhveshura të burgut La Santé në Paris. Nicolas Sarkozy, ish-presidenti i Francës, ka nisur të vuajë dënimin e tij me burg, një kthesë e paprecedentë për një nga figurat më të fuqishme të politikës moderne franceze.
I dënuar me pesë vjet burg, nga të cilat një vit është burg i rreptë, për korrupsion dhe konspiracion kriminal, Sarkozy tashmë ndodhet në një regjim të izoluar, brenda një qelie vetëm 9 metra katrorë.
Për shkak të profilit të tij të lartë dhe rreziqeve të mundshme që lidhen me sigurinë, autoritetet franceze e kanë vendosur atë në një seksion të posaçëm të burgut, të rezervuar për të burgosur të konsideruar “të cenueshëm”. Aty, çdo ditë është e planifikuar në detaj dhe çdo lëvizje e kontrolluar.
Hapësira që dikur ndante me krerë shtetesh dhe diplomatë ndërkombëtarë, sot është zëvendësuar me një shtrat marinarësh me dy kate, një tavolinë të vogël, një lavaman dhe një banjë personale. Qelia ka një dritare me hapje të kufizuar, mjaftueshëm për të parë qiellin e Parisit, por jo për të harruar se ndodhet pas grilave.
Sarkozy u paraqit në La Santé të hënën në mbrëmje, më 21 tetor, në zbatim të një urdhri të menjëhershëm të gjykatës, pavarësisht se çështja e tij ndodhet ende në apel.
Dënimi lidhet me financimin e dyshuar të paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga regjimi i Muammar Gaddafi-t në Libi.
Zgjimi fillon herët, rreth orës 07:00 të mëngjesit. Mëngjesi shërbehet në qeli, dhe më pas dita ecën mes leximeve, shkrimeve personale dhe përgatitjes së dokumenteve ligjore për apel.
Nuk ka celular. Nuk ka internet. Sarkozy ka të drejtë të përdorë një telefon fiks të monitoruar dhe një televizor me pagesë: 14 euro në muaj. Librat që ai ka kërkuar janë Konti i Monte Kristos dhe disa biografi fetare.
Dalja në ajër të pastër është e kufizuar: vetëm një orë në ditë në një hapësirë të mbyllur dhe nën mbikëqyrje të plotë. Nuk ka kontakt me të burgosurit e tjerë.
As vizitat familjare nuk janë të thjeshta, pasi zhvillohen në kushte të veçanta, pa kontakt fizik dhe nën vëzhgim vizual.