Nga Gjykata Speciale te rruga drejt BE-së, këto janë mesazhet që dha dje Von der Leyen në Kosovë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë dha disa mesazhe për zhvillimet e fundit politike, aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, debatin për ndryshimin e ligjit për këtë gjykatë dhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Von der Leyen u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin mbajti një konferencë të përbashkët për media.
Në fokus të deklarimeve të saj ishte aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilin tha se ka shkaktuar emocione të fuqishme në vend. Ajo vlerësoi reagimin e matur të Kurtit dhe të liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, deklaroi Von der Leyen, duke kujtuar represionin e vitit 1999, krizën humanitare dhe vuajtjet që ka përjetuar populli i Kosovës.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian ka qëndruar përkrah Kosovës që nga ajo kohë, ndërsa bëri dallimin mes përgjegjësisë individuale të personave të gjykuar dhe historisë së rezistencës së Kosovës.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha ajo.
Von der Leyen theksoi gjithashtu se mandati i Gjykatës Speciale duhet të respektohet.
E pyetur për projektligjin e propozuar nga PDK-ja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, presidentja e Komisionit Evropian tha se vendimmarrja i takon Kosovës, por nënvizoi rëndësinë e garantimit të pavarësisë së gjyqësorit.
“I përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit. Në këtë kuadër, i përket Kosovës që të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet ose jo, por është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”, u shpreh ajo.
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i Von der Leyen ishte perspektiva evropiane e Kosovës dhe nevoja për përparim drejt statusit të vendit kandidat.
Ajo tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë me Kosovën për këtë qëllim, por theksoi se duhet të sigurohet mbështetja e 27 shteteve anëtare të BE-së.
“Për mua është e rëndësishme që të punojmë ngushtë rreth aspiratës suaj që të bëheni shtet kandidat. Duhet t’i bindim 27 shtetet anëtare dhe ato do ta kërkojnë mendimin e Komisionit. Ne punojmë ngushtë për këtë”, tha Von der Leyen.
Ajo shtoi se përparimi drejt këtij synimi kërkon institucione stabile dhe zbatimin e reformave, në mënyrë që shtetet anëtare të binden për progresin e Kosovës.

Lexo edheKurti si “forcë bashkuese” për partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, por për çfarë do të angazhohen?
“Mbështetuni tek unë, por për këtë na nevojiten institucione stabile, reforma. Sa më shumë që mund t’i bindim ata për progresin, aq më të mira janë gjasat që të kërkojnë nga Këshilli të dalë me një opinion për propozimin e Komisionit”, deklaroi ajo.
Von der Leyen tha se Kosova po kalon në një moment të rëndësishëm politik dhe vuri në pah rëndësinë e dialogut ndërmjet partive politike.
“Vura re së fundmi se dialogu mes partive politike është i mundur dhe se ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim. Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparimin në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, tha ajo.
Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti tha se gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian kishte kërkuar avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kurti deklaroi se Kosova i plotëson kriteret për këtë status dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke u zotuar se reformat evropiane do të vazhdojnë.
“Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se i kishte kërkuar Von der Leyen edhe anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit.
Sipas Kurtit, këto hapa do të ndihmonin në lehtësimin e qarkullimit të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke ulur kohën dhe kostot.
Kryeministri kujtoi se Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022 dhe theksoi se, sipas vlerësimit të tij, vendi i plotëson kushtet për avancim në procesin e integrimit.
Në konferencë, Kurti foli edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar tri pika që, sipas tij, duhet të bëhen të njohura ndërkombëtarisht.
Ai deklaroi se pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk ishin pjesë e aktakuzës, ndërsa pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullatës civile, sipas tij, u rrëzuan.
Vizita e Von der Leyen në Kosovë është pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit pritet të vizitojë edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë përfshirë në agjendën e kësaj vizite.














