Haradinaj pas shkarkimit të Isufajt: Kush nuk iu nënshtrua Kurtit, do të largohet edhe me presion – kjo është autokraci

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Haradinaj e ka cilësuar vendimin si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç pretendon ai, përpjekje për kontroll mbi institucionet.
“Presioni ndaj kryeprokurorit Blerim Isufaj është ndërhyrje direkte në rend dhe ligj, në tentim të kapjes edhe të institucionit gati të fundit që ka mbetur pa u sterkequr nga tentakulat e Albin Kurtit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar punën e Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, duke përmendur rastet e sulmit në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, si dhe angazhimin për arrestimin e personave të dyshuar për krime lufte.
“I njëjti kryeprokuror që u vlerësua dhe vlerësohet lartë nga çdo vend për punën e tij të palodhshme dhe shembullore në Prokurorinë Speciale. I njëjti njeri që arriti të ngritë aktakuza për sulmin terrorist në Banjskë e Ibër-Lepenc”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka përdorur tone të ashpra ndaj qeverisë, duke pretenduar se largimi i Isufajt është pjesë e një përpjekjeje për kontrollimin e institucioneve.

Lexo edheKurti takon ambasadorin britanik, në fokus finalizimi i formimit të institucioneve
“Kush nuk iu nënshtrua, do të largohet edhe me presion. Kjo është autokraci”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Haradinaj ka ngritur shqetësimin edhe për situatën institucionale në vend, duke përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja, mungesën e presidentit, mungesën e kuorumit të Gjykatës Kushtetuese dhe tash edhe ndryshimin në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
“Kjo mazhorancë nuk do rend, ligj dhe zhvillim. Kjo do kapje dhe abuzim me gjithçka që u ndërtua me gjak”, ka përfunduar Haradinaj./lajmi.net/













