Lindita Nebiu Hyseni, Profesoreshë në Gjermani dhe ish Profesoreshë/dekane në UKZ Gjilan, ka bërë një kërkesë publike për kryeministrin e Kosovës. Albin Kurtin.
Ajo ka kërkuar që të jetë prioritet i rëndësishëm sigurimi shëndetësor dhe krijimi i një sistemi të mirëfilltë shtetëror për personat me aftësi të kufizuar.
Nebiu-Hyseni ka thënë se ajo dhe bashkëshorti i saj, të dy profesionistë në Shkenca Kompjuterike dhe Edukim Fizik dhe Sport, janë detyruar ta lëshojnë Kosovës për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale për djalin e tyre autik kur ai të jetë në moshë madhore, i cili ka thënë se tani është 11 vjeç.
“Këta fëmijë autik nuk kanë nevojë vetëm për mbështetje në moshë të hershme. Përkundrazi, sfidat shpesh bëhen edhe më të mëdha kur ata rriten. Me kalimin e viteve rriten nevojat për terapi, edukim të specializuar, integrim social dhe përkrahje afatgjatë për jetesë të pavarur dhe dinjitoze. Pa një sistem të qëndrueshëm shtetëror, familjet mbeten të vetme përballë këtyre vështirësive. Pikërisht për këtë arsye, shumë familje dhe profesionistë të kualifikuar detyrohen të largohen nga vendi në kërkim të një sistemi që u ofron fëmijëve të tyre mbështetjen që meritojnë. Kjo nuk është vetëm një humbje për familjet, por edhe një humbje për Kosovën (hera parë që nuk do të jem modeste)”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë për sigurim shëndetësor dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuara do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, në dinjitetin e familjeve dhe në ndalimin e largimit të profesionistëve nga vendi. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: