Të rinjtë shqiptarë, të fundit në Evropë për të ardhurat sipas fuqisë blerëse

Të rinjtë shqiptarë janë ndër më të varfrit në Evropë për sa u përket të ardhurave të familjeve ku jetojnë dhe më të varfrit nëse llogariten të ardhurat sipas fuqisë blerëse.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, të analizuara nga Euronews, të ardhurat mediane vjetore të disponueshme të familjeve të të rinjve të moshës 18–24 vjeç në Shqipëri arrijnë në vetëm 5,736 euro, niveli i dytë më i ulët ndër 34 vendet evropiane të përfshira në krahasim, shkruan Monitor, transmeton Klankosova.tv.
Vetëm Maqedonia e Veriut renditet më poshtë, me 4,640 euro, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është 21,482 euro. kur treguesi krahasohet me fuqinë blerëse, Shqipëria renditet e fundit (me 8,175 PPS), duke e lënë pas Maqedoninë e Veriut për shkak të çmimeve më të shtrenjta, ku ato të ushqimeve janë 3% më lart se mesatarja e BE=së.
Analiza e Euronews vjen në një periudhë kur protestat e të rinjve janë përhapur në disa vende evropiane, veçanërisht në Francë, të nxitura nga rritja e kostos së jetesës, vështirësitë për të siguruar banesë, pagat e ulëta dhe problemet me shërbimet publike.
Edhe Shqipëria është përfshirë gjatë javëve të fundit nga protesta të studentëve dhe të rinjve, të cilët kanë ngritur shqetësime për kushtet e arsimit, mungesën e vendeve të punës, koston e jetesës dhe korrupsionin.

Lexo edheRama vijon thirrjen për dialog, studentët kërkojnë largimin e tij
Një pjesë e protestave janë shndërruar në demonstrata më të gjera kundër qeverisë. Këto zhvillime e bëjnë edhe më domethënës krahasimin e të ardhurave të të rinjve shqiptarë me ato të bashkëmoshatarëve evropianë.
Sipas Euronews, protestat e fundit në Evropë kanë rikthyer vëmendjen te gjendja ekonomike e brezit të ri. Eksperti i së drejtës evropiane Alberto Alemanno thekson se protestat nuk mund të trajtohen thjesht si një revoltë e adoleshentëve, pasi ato përfshijnë shqetësime dhe kërkesa të ndryshme ekonomike e shoqërore.












