Njeriu i tendereve| ZRRE-ja i jep kontratë rreth 800 mijë € biznesmenit të afërt me LDK-në, Ragip Mustafa

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) paguan 13,108.08 euro në muaj për shfrytëzimin e zyrave me qira në Prishtinë, me sipërfaqe prej 965 metrash katrorë.
Kontrata, e nënshkruar më 1 gusht të këtij viti nga ish-kreu i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, dhe Arjant Topanica, përfaqësues i kompanisë “Olti Trasing SH.P.K.”, ka afat pesëvjeçar. Sipas FrontOnline, dokumenti është siguruar në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Gjatë tri viteve të para, qiraja mujore do të jetë 13,108.08 euro, ndërsa për dy vitet e fundit është paraparë që palët të diskutojnë përsëri çmimin, i cili do të rishikohet dhe përshtatet sipas çmimeve të tregut.
Sipas përllogaritjeve të bazuara në vlerën mujore të qirasë, kontrata arrin në rreth 787 mijë euro për pesë vjet, pa përfshirë ndonjë ndryshim të mundshëm të çmimit pas tri viteve të para.
Në çmimin e qirasë përfshihen edhe pesë vendparkingje për veturat zyrtare të ZRRE-së. Megjithatë, institucioni obligohet të mbulojë veçmas edhe shpenzimet e energjisë elektrike, ujit dhe mirëmbajtjes.
Kompania “Olti Trasing” është në pronësi të biznesmenit Ragip Mustafa, djali i të cilit, Etnik Mustafa, është asambleist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Prishtinës.
Gjithashtu raportohet se bizneset e lidhura me Ragip Mustafën kanë përfituar kontrata publike edhe nga institucione të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.
Një nga këto raste është kontrata në vlerë prej rreth 900 mijë eurosh, të cilën kompania “Beni Dona Plas SH.P.K.”, gjithashtu në pronësi të Mustafës, e kishte fituar nga Policia e Kosovës në mars të këtij viti. Sipas raportimit, kontrata për shërbime ushqimi ishte dhënë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Kjo procedurë e prokurimit lejohet në rrethana të caktuara ligjore dhe dallon nga procedurat e hapura, pasi nuk kërkon publikimin e zakonshëm të njoftimit për kontratë.

Lexo edhe“Blindohet” me Njësi Speciale Gjykata e Ferizajt, pas pak nis seanca e rastit të policit, Muhamet Lika!
Ndërkohë, portali Paparaci kishte raportuar në fund të gushtit për një hetim të zhvilluar ndaj Ragip Mustafës lidhur me dyshimet për mashtrim dhe falsifikim në një tender prej 8.4 milionë eurosh të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas këtij raportimi, hetimet ishin zhvilluar nga Task Forca Kundër-Korrupsion e Policisë së Kosovës, ndërsa dyshimet kishin të bënin me përdorimin e dy certifikatave ISO të falsifikuara për të përfituar kontratën për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Fillimisht, rasti ishte mbyllur në janar të vitit 2020 nga prokurorja Merushe Llugiqi, e cila kishte konstatuar se nuk ishin gjetur elemente të veprave penale. Megjithatë, sipas Paparacit, Task Forca kishte vazhduar hetimet dhe në tetor të vitit 2021 kishte paraqitur kallëzim penal ndaj biznesmenit.
Në kallëzim, sipas raportimit, ai dyshohej për veprat penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “mashtrimi në prokurimin publik”.
Paparaci kishte raportuar gjithashtu se, sipas një raporti informues të Task Forcës Kundër-Korrupsion, prokurorja Llugiqi u kishte thënë hetuesve se kishte presion lidhur me rastin dhe se duhej të bisedonin me eprorët e saj të atëhershëm, kryeprokurorin Kujtim Munishi dhe zëvendëskryeprokurorin e atëhershëm Zejnullah Gashi.
Këto pretendime i referohen raportimeve të mediave për hetimin dhe dyshimet e ngritura ndaj biznesmenit. Ato nuk përbëjnë, në vetvete, dëshmi të fajësisë. /Lajmi.net/












