Muaji shtator pritet të nisë me zhvillime tejet të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Në fillim të këtij muaji do të mbahet takimi i tretë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi.
Nga Presidenca tashmë kanë bërë të ditur se në këtë tryezë do të diskutohet për çështjen e Luginës së Preshevës, respektivisht për kërkesën e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, shkruan “Zëri”.
Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka vlerësuar se muaji i ardhshëm do të jetë një muaj gjatë të cilit do të trajtohen shumë çështje të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
“Kjo për shkak se do të mbahet takimi në mes të dy presidentëve për fazën e fundit të dialogut dhe ndoshta do të jetë një takim shumë i nxehtë për shkak se do të diskutohen tema të ndryshme, të cilat lidhen pikërisht me marrëveshjen finale që do të realizohet brenda një kohe të shkurtër”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Pos kësaj, Demhasaj e ka cilësuar si tejet me rëndësi edhe vizitën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, e cila pritet të realizohet po ashtu gjatë muajit shtator.
Sipas tij, nëse vizita e Vuçiqit pranohet të ndodhë, atëherë duhet të ketë një kontroll më të shtuar, në mënyrë që të mos ketë mundësi që situata të ekskalojë.
“Nëse flasim për një protestë që opozita mund ta organizojë, nëse flasim për protestat e qytetarëve dhe të shoqërisë civile, që mund t’i organizojnë për pakënaqësitë në sistemin e drejtësisë e që veç kanë filluar, nëse flasim edhe për vizitën e presidentit Vuçiq, në anën tjetër edhe për vazhdimin e dialogut, janë elemente që nëse Qeveria nuk mund t’i ndalë, mund të eskalojnë dhe është rrezik i eskalimit të situatës në këtë fazë”, ka potencuar ai.



