back to top
Tuesday, July 22, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditNë Kosovë vetëm gjatë javës së fundit u raportuan mbi 320 zjarre

Në Kosovë vetëm gjatë javës së fundit u raportuan mbi 320 zjarre

Të ngjajshme

Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve që kanë përfshirë tërë territorin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste zjarresh, ndërkohë që si pasojë janë shënuar dy viktima: një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga komuna e Klinës.

Lajmi u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për media të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave dhe Policisë së Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Genc Metaj, tha se zjarret janë të përhapura në tërë vendin dhe paralajmëroi për rreziqe serioze nëse nuk merren masa dhe nuk rritet vetëdijesimi qytetar.

“Vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë, ku janë paraqitur zjarre në tërë vendin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve: zjarre malore, fushore, por edhe në objekte. Vlen të ceket se për të gjitha këto raste kemi intervenuar me sukses. Aktualisht kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen. Ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga njësia profesionale e zjarrfikësve nga Gjakova dhe gjithashtu ka humbur jetën edhe një qytetar nga komuna e Klinës. Kemi të lënduar edhe dy zjarrfikës. Sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve”, tha Metaj.

Për angazhimin e Policisë së Kosovës në parandalimin e zjarrvënieve foli drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, i cili theksoi se janë ndërmarrë një varg aktivitetesh për ta menaxhuar situatën dhe për t’i ndjekur penalisht zjarrvënësit.

“Edhe Policia është duke punuar që sadopak të ndikojë në uljen e zjarreve dhe rreziqeve. Policia ka marrë një varg aktivitetesh për parandalimin dhe përhapjen e zjarreve. Ne përmes ndihmës fizike jemi duke u marrë edhe me hetime dhe ndjekje të veprave penale. Numri i përgjithshëm i zjarreve të raportuara nga fillimi deri tash është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është 9, numri i rasteve të iniciuara në polici është 65”, tha Hoxha./Indeksonline/

- Advertisement -

Të Fundit