Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i “siguroi” qytetarët se s’po ndalen së punuari, pavarësisht se si qeveri në detyrë kanë kompetenca të kufizuara.
Pasi foli për moskonstituimin e Kuvendit dhe ngërçin për të cilin ai e shfajëson krejtësisht partinë e tij, Kurti siguroi se ata kanë “shumë punë” në qeveri.
“Ndërkohë, ne duhet të qeverisim, sepse i kemi kompetencat e kufizuara, por punët i kemi të shumta. Nuk jemi duke punuar më pak, ndonëse kemi më pak kompetenca dhe në përputhje me nenin 31 të ligjit për qeverinë po punojmë vazhdimisht me të gjithë ministrat në detyrë”, tha ai në një konferencë për media.
Për konstituimin e Kuvendit, Kurti tha se “do të duhej që të merreshim vesh”.
“Por ne nuk u morëm vesh, siç e dini, dhe tash nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve”, tha ai, duke iu referuar afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit që skadon në fund të kësaj jave.