Musliu-Shoshi: Kurti po e mban peng konstituimin, përgjegjësinë e ka VV-ja

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se PDK-ja është për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Duke folur në emisionin FIVE, Musliu-Shoshi tha se PDK-ja beson në funksionimin e rendit kushtetues dhe se nuk do të qëndrojë pasive në rast të cenimit të tij.
“Ne besojmë në shtet demokratik, ne besojmë në funksionimin e rendit kushtetues dhe në momentin që këto cenohen, PDK-ja nuk do të qëndrojë duarkryq, ashtu siç nuk jemi duke qëndruar. Tani përgjegjësinë nuk e ka PDK-ja, e ka LVV-ja”, deklaroi ajo.
Musliu-Shoshi tha se PDK-ja mbështet formimin e institucioneve, por paralajmëroi se do ta kontestojë legjitimitetin e mënyrës së formimit të tyre nëse, sipas saj, shkelen rregullat kushtetuese.
“Ne jemi për formimin e institucioneve dhe çështja tjetër është legjitimiteti i formimit të këtyre institucioneve. Pastaj kjo është e kontestueshme dhe ne e mbështesim të parën, por ne nuk do të heshtim për të dytën”, tha ajo.
Ajo theksoi se PDK-ja vazhdimisht ka bërë thirrje për vazhdimin e seancës konstituive, duke thënë se pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të ketë përparim institucional.

Lexo edheKomuna e Prizrenit nënshkruan tenderin prej 237 mijë eurosh për vaksinim të deleve dhe dhive
Sa u përket zgjedhjeve të reja, Musliu-Shoshi tha se PDK-ja ka qenë gjithmonë kundër tyre, por përgjegjësinë për shmangien e tyre, sipas saj, e ka partia që ka fituar zgjedhjet.
“Ne gjithmonë kemi qenë kundër zgjedhjeve, por ne nuk jemi partia që ka fituar zgjedhjet dhe që ka përgjegjësi për ta bërë konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ajo.
Musliu-Shoshi ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë dhe kreun e LVV-së, Albin Kurti, duke deklaruar se ai, sipas saj, nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për funksionimin demokratik të institucioneve.












