Mjeku popullor kuron prej 65 vitesh me shushunja sëmundjet e gjakut

Mjeku popullor beratas, 76-vjeçari egjiptian Zani Hysi prej 65 vjetësh shëron sëmundje të ndryshme me shushunja në të gjithë Shqipërinë. Ai ka shëruar qindra pacientë nga rrethe të ndryshme të vendit tonë që vuanin nga sëmundjet si: reumatizma, tromboza, prostata, dhimbjet e kokës, ekzemat, damarët e këmbëve, infektimi i gjëndrave të trupit etj.
Trupvogël, por i bindur tek mjekimi që e ka zanafillën e tij nga mjekësia popullore, 76-vjeçari vazhdon të kurojë rreth 35 lloje sëmundjesh nëpërmjet përdorimit natyral të shushunjave në trupin e të sëmurëve. Përveçse ndihmës që u jep pacientëve të tij, mjeku popullor Hysi, i cili i përket komunitetit egjiptian në Berat, siguron edhe pak të ardhurat për familjen e tij pasi me këtë profesion që e ushtron prej vitesh, ai ka mundur të rrisë 5 fëmijët e tij, 3 djem dhe 2 vajza, por këto të fundit i kanë vdekur disa vite më parë nga sëmundje të pashërueshme, njëra nga paraliza dhe tjetra nga kanceri.
Edhe pse nuk ka vënë asnjë pasuri me këtë profesion pasi jeton ende në një kasolle në lagjen e romëve, ai ndihet krenar dhe shumë i lumtur që ka shëruar qindra të sëmurë në të gjithë vendin, nga të cilët ka marrë mjaft “urata” e “bekime”, nga të cilat-siç shprehet edhe vetë jeton akoma.
Mjeku popullor, Zani Hysi tregon se nëpërmjet këtyre specieve kurohen 35 sëmundje të ndryshme të gjakut pasi shushunja ka një ilaç në gojë që shpërndahet në të gjithë trupin dhe pi gjakun e keq.

Lexo edheFier, flakët “përpijnë” dy banesa dhe dhjetra rrënjë ullinj
Ai tregon se, shushunjat hidhen atje ku ndodhet tromboza ku shushunja bën edhe tërheqjen e gjakut të keq. Hysi shpjegon se, kura me shushunja kryhet në 3 seanca: në muajt maj, korrik dhe gusht dhe pas hedhjes së shushunjave, njeriu jo vetëm që nuk duhet të pijë alkool dhe nuk duhet të lahet 7 ditë pas mjekimit, por duhet të mbajë edhe regjim ushqimor duke eliminuar të hajë djegëse dhe mish pule për 3 muaj.















