Ministrja serbe e Energjisë thotë se SHBA’ja ia ka zgjatur edhe për një muaj NIS’it licencën e punës

Shtetet e Bashkuara kanë zgjatur edhe për një muaj licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), njoftoi ministrja e Energjisë së Serbisë, teksa zyrtarët shpresojnë se bisedimet për shitjen e aksioneve në pronësi ruse do të përfundojnë në shpejti.
Zgjatja i mundëson NIS-it të vazhdojë importimin e naftës bruto dhe funksionimin e rafinerisë së saj të vetme, pavarësisht sanksioneve amerikane, që kanë për shënjestër sektorin energjetik të Rusisë.
Përjashtimi i fundit nga sanksionet, i miratuar nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit, skadonte në mesnatën e së premtes, por është zgjatur deri më 30 shtator.
“Kompania mund të vazhdojë të operojë dhe rafineria e naftës në Pançevë mund të vazhdojë të punojë”, shkroi ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Gjerdoviq Handanoviq, në Instagram.
Ajo e cilësoi këtë vendim “veçmas të rëndësishëm” për shkak të “rritjes së kërkesës për karburante” dhe vështirësive me importet që janë shkaktuar nga niveli i ulët i ujit në lumin Danub. Ministrja serbe tha po ashtu se bisedimet për shitjen e aksioneve të NIS-it po vazhdojnë.
“Zgjatja e licencës është një shenjë e rëndësishme se po shohim përparim”, shkroi ajo.
Përpjekjet për shitjen e aksioneve, që janë në pronësi ruse, te gjiganti hungarez i energjisë, MOL janë zvarritur prej muajsh, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se shpreson që marrëveshja të përfundojë deri në fund të muajit të ardhshëm.
“Për herë të parë, ndihem optimist dhe shpresoj se mund ta përmbyllim të gjithë çështjen e NIS-it në shtator”, tha Vuçiq për gazetarët në Serbi.

Lexo edheWalker: Kosova s’është kërcënim për askënd, Serbia vazhdon të jetë në Ballkan
Sanksionet amerikane, të vendosura ndaj NIS-it në janar 2025, janë shtyrë vazhdimisht për t’u dhënë kohë palëve për shitjen e aksioneve.
Sanksionet ishin në fuqi vetëm nga tetori deri në dhjetor, që e detyruan NIS-in të ndalonte prodhimin në rafinerinë e tij të vetme për disa javë për shkak të mungesës së naftës së papërpunuara.
Licenca të përkohshme janë lëshuar sërish që nga fundi i dhjetorit, pasi u njoftuan bisedimet me MOL-in.
Serbia mbetet një aleate e afërt e Kremlinit dhe një nga të paktat vende evropiane që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
Serbia ia shiti Gazprom-it rus shumicën e aksioneve në NIS në vitin 2008 për 400 milionë euro dhe tani zotëron rreth 30 për qind të kompanisë.
Zyrtarët thonë se Serbia planifikon ta rrisë pjesën e saj të pronësisë me pesë pikë përqindjeje pas shitjes.












