Ministrja Pacolli: 7 gurthyesve u ndalohen punimet, ndërsa 3 të tjerë gjobiten me 7 mijë euro!

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli ka bërë të ditur se disa gurthyesve në Kosovë u janë ndalur punimet derisa 3 të tjerë janë gjobitur me 7 mijë euro.
“Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në 7 gurthyes që kanë operuar në kundërshtim me rregullat dhe kushtet ligjore, ndërsa 3 operatorë të tjerë janë gjobitur me 7 mijë euro për shkeljet e evidentuara. Masat janë ndërmarrë pas inspektimeve në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë.
Procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në mars, kur të gjithë operatorëve u është dhënë afat prej 15 ditësh për të dëshmuar përputhshmërinë me ligjin dhe kriteret mjedisore. Rreth 200 gurthyes kanë dorëzuar dokumentacionin, i cili është shqyrtuar nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria në prill. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore.
Vetëm gjatë muajit gusht, punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve.

Lexo edheJava vendimtare për marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, Kërçeli: Besoj se do të ketë marrëveshje
Inspektorati i Mjedisit është çdo ditë në terren dhe kontrollet do të vazhdojnë. Ndaj çdo operatori që vepron në kundërshtim me ligjin, ndot mjedisin apo nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masat ndëshkuese.
Mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit është e pakompromis. Nuk do të lejojmë që përfitimi i askujt të vihet mbi shkatërrimin e mjedisit të Kosovës”, ka shkruar ajo. /Indeksonline/












