Apeli e kthen përsëri në rigjykim rastin ndaj të akuzuarve se i vunë zjarrin një restoranti në magjistralen Ferizaj-Prishtinë

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim, për herë të dytë, rastin ndaj të akuzuarve Besart Mulaku, Kushtrim Krasniqi dhe Festim Krasniqi, të cilët akuzohen se në vitin 2020 i kanë vënë flakën restorantit “Berlini”, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.
Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim, me aktgjykimin e 26 dhjetorit 2026, i kishte dënuar të akuzuarit Besart Mulaku, Kushtrim Krasniqi dhe Festim Krasniqi me nga dy vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër këtij aktgjykimi kishte parashtruar ankesë mbrojtësja e të akuzuarit Besart Mulaku, avokatja Teuta Zhinipotoku, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal, duke propozuar që i akuzuari Mulaku të lirohet nga akuza ose çështja të kthehet në rigjykim.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Krasniqi, avokati Fitim Malokaj, dhe mbrojtësi i të akuzuarit Festim Krasniqi, avokati Arsim Bilali, kishin parashtruar ankesa për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit për sanksionin penal, me propozim që të akuzuarit të lirohen nga akuza ose çështja të kthehet në rigjykim.
Ndërsa, Prokuroria e Apelit kishte paraqitur parashtresë me propozim që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Gjithashtu, në seancën e Kolegjit të Apelit, të mbajtur më 11 qershor 2026, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Genc Humolli, propozoi që të vërtetohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë.
Gjetjet e Apelit
Sipas Apelit, në aktgjykimin e ankimuar ekzistojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe, për këtë arsye, i njëjti duhet të anulohet, pasi në shkresat e lëndës është evidentuar se gjyqtarja e procedurës paraprake, Hakile Ilazi, ka urdhëruar sekuestrimin e sendeve që do të shërbenin si prova në procedurën penale, ndërsa e njëjta gjyqtare më pas e ka gjykuar rastin si gjyqtare e vetme.

Lexo edheMinistrja Pacolli: 7 gurthyesve u ndalohen punimet, ndërsa 3 të tjerë gjobiten me 7 mijë euro!
“Gjyqtarja e procedurës paraprake Hakile Ilazi ka urdhëruar sekuestrimin e sendeve që do të shërbejnë si prova në procedurë penale, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se këto sende janë përdorur në kryerjen e veprës penale dhe rezulton se e njëjta gjyqtare e ka gjykuar rastin tani si gjyqtare e vetme gjykuese”, thuhet në vendimin e Apelit.
Andaj, sipas Apelit, në këto rrethana, në pajtim me dispozitat ligjore, gjyqtarja është dashur të përjashtohej, pasi kishte marrë pjesë në një fazë të mëparshme të procedurës në të njëjtin rast penal.
Në rigjykim, Apeli e këshillon gjykatën e shkallës së parë që t’i evitojë të gjitha shkeljet dhe më pas të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.
Andaj, pasi aktgjykimi është anuluar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, sipas Apelit, gjykata e shkallës së dytë nuk është lëshuar në pretendimet e tjera ankimore.
Kolegji i Gjykatës së Apelit që ka vendosur për këtë çështje përbëhet nga Nikoll Komani, kryetar i Kolegjit, si dhe Ali Kutllovci dhe Mehmet Ndrecaj, anëtarë.












